Lajm i keq për Arsenalin, Saka mungon një muaj  

25 gusht 2025 | 16:07

Arsenali po përballet sërish me probleme të mëdha nga dëmtimet. Pas Kai Havertz, i cili do të mungojë për disa javë për shkak të një dëmtimi në gju, tani është Bukayo Saka që i shtohet listës së të padisponueshmëve. Ylli anglez u detyrua të largohej nga fusha në minutën e 53-të të fitores 5-0 kundër Leedsit, vetëm pak minuta pasi kishte shënuar golin e dytë të ndeshjes për “Topçinjtë”.

Analizat mjekësore kanë konfirmuar një dëmtim në bicepsin femoral, i cili pritet ta mbajë jashtë për rreth një muaj. Ky problem fizik do ta bëjë Sakan të humbasë supersfidën ndaj Liverpoolit në “Anfield”, të dielën, si edhe dy ndeshjet e Anglisë për kualifikueset e Botërorit: më 6 shtator kundër Andorrës dhe më 9 shtator ndaj Serbisë. Kujtojmë se sezoni i kaluar nuk ishte i lehtë për 23-vjeçarin, i cili humbi tre muaj të rëndësishëm pikërisht për një dëmtim të ngjashëm në bicepsin femoral.

Tashmë, rikuperimi i tij do të jetë përsëri në fokusin e stafit mjekësor të Arsenalit dhe të kombëtares angleze. Humbja e Sakassë përfaqëson një goditje të rëndësishme për Mikel Artetën, i cili e konsideron sulmuesin anësor si një nga shtyllat kryesore të skuadrës në garën për titullin e Premier League.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zbardhen detaje të reja nga aksidenti i rëndë në Sarandë…