
Lakersat triumfojnë kundër Deneverit
Dy humbjet radhazi larg “Staples Center”, në Philadelphia dhe Detroit, që i dhanë fund rekordit të ri të franchiset kalifornian prej 10 fitoresh radhazi jashtë fushës, u harruan shpejt nga Los Angeles Lakers dhe kampionët në fuqi regjistruan suksesin e tretë rresht, teksa mposhtën në shtëpi ekipin e Denver Nuggetsit. Pesë muaj më parë franchise nga Colorado shkoi deri në finalen e Konferencës së Perëndimit, ku Lakersat ia dolën mbanë për të mbyllur serinë me triumfin 4-1, ndërsa këtë herë gjërat nuk nisën edhe aq mirë për ekipin e drejtuar nga trajneri Frank Vogel dhe për pasojë “liqenorët” shkuan në interval me disavantazhin e 12 pikëve. Kampionët në fuqi reaguan mirë që në periodën e tretë dhe pas avantazhit 76-75 Lakersi u shkëput dhe nuk e kthyen më kokën pas. Gjithçka erdhi falë mbrojtjes së fortë, sepse pas disavantazhit 75-68 në 12’ e tretë Lakersi realizoi plot 15 pikë radhazi, për të hyrë në periodën e fundit të takimit me epërsinë e tetë pikëve. Reagimi i ekipit të drejtuar nga trajneri Michael Malone ishte vërtet shumë i dobët dhe në vend se të ngushtohej diferenca në rezultat ndërmjet këtyre dy skuadrave, u bë gjithmonë e më e madhe. Përfundimisht Lakersi fitoi krejt takimin me shifrat 114-93, për ta regjistruar fitoren e 16 sezonale.
Në klasifikimin e përgjithshëm të Konferencës së Perëndimit vazhdojnë të kryesojnë basketbollistët e Utah Jazzit dhe Los Angeles Clippersit me përqindje të ndryshme, por me nga 17 fitore gjithsej, pra vetëm një më tepër se kampionët në fuqi, raporton “Supersport”.
Në Divizionin e Paqësorit Clippersi ka zhvilluar një ndeshje më shumë dhe kryeson me bilancin 17-6, ndërsa Lakersi numëron 16 fitore e 6 humbje. “Mbreti” James e përfundoi takimin me trille-double: 27 pikë, 10 topa të rekuperuar e 10 asistime në diçka më tepër se 35’ lojë, sidoqoftë te skuadra e drejtuar nga trajneri Frank Vogel në fund ishin plot shtatë lojtarë të ndryshëm që e mbyllën mbrëmjen me dy shifra, sa i përket kuotës së pikëve të shënuara.
Në krahun tjetër Nikola Jokiq e përfundoi ndeshjen me vetëm 13 pikë e 10 rebounde, gjithsesi kjo ishte humbja e dytë në tri sfidat e fundit për Nuggetsin, që në këtë mënyrë humbi ende më shumë terren kundrejt kryesuesve të Perëndimit, teksa pozicionohet në vendin e katërt me 12 fitore në 20 sfidat e zhvilluara.
Utah Jazzi vazhdon të bëjë përpara me qetësi dhe franchise nga Salt lake City siguroi fitoren e 13-të në 14 takimet e fundit, teksa mundi brenda në Georgia, në “State Farm Arena”, përpara 1 261 spektatorëve, 112-91 skuadrën e Atlanta Hawksit. Surpriza e mbrëmjes u regjistrua në Pensilvani, në “Wells Fargo Center”, ku ekipi i Portlandit u paraqit pa katër titullarë, që munguan për shkak të dëmtimeve të ndryshme, dhe me vetëm 9 lojtarë aktivë, megjithatë Trail Blazersi, i udhëhequr nga dyshja Gary Trent Jr – Carmelo Anthony, triumfoi 121-105 brenda në Philadelphia, duke ua shkaktuar kryesuesve të Konferencës së Lindjes humbjen e shtatë sezonale.
Për franchisen nga Oregoni kjo ishte fitorja e 3-të në 4 takimet e fundit, ndërsa te vendasit spikati si zakonisht sulmuesi nga Kameruni Joel Embiid, që realizoi 37 pikë në diçka më pak se 34’ që u aktivizua gjithsej në parket.