Lamtumirë, jaran! Të fala Zotit!

26 korrik 2023 | 10:53

Berat Armagedoni

Kemi folur shumë, kemi ndenjur shpesh, kemi ndenjur gjatë. Më shkruante për çdo ditë, i shkruaja për çdo ditë. Më dërgonte për botim tekste të vetat dhe të miqve. Më shpesh barsoleta. I pëlqente humori. I pëlqente tragjikomedia. Dy herë në javë dëgjoheshim në telefon e më pyeste për  familjen e ngushtë dhe të gjerë:

– Si janë Kimetja, Pomena, Poliana, Priari? Po me bacën Rasim a ke folur, si është? Po ata komshinj, si janë?

– Shëndosh e mirë të gjithë, prof. Po ti, si je?

– Paj, çka me të thënë bre Berat, një ditë mirë, një ditë keq. Nuk po dal shumë jashtë, se moti po më mundon.

– Më dogji edhe mua, prof!

Profesorin Haqif disa probleme shëndetësore, që mua më dukeshin jo shumë serioze, nuk e linin rehat. Përballej me to me ilaçe dhe me mjekë. Ngacmimet e shpeshta të tyre përpiqej t’i linte mënjanë duke shkruar drama dhe studime për dramën dhe teatrin, duke u takuar me miq dhe studentë dhe duke bashkëbiseduar me ta. Dhimbjen e zbuste orë e çast. Vetminë nuk e ndiente kurrë, se pranë vetes gjithmonë i kishte familjarët. I kishte edhe shokët më të mirë – librat.

Dy vjet më parë e kishte parë vdekjen me sy. Ishte shtrirë në QKUK. Prej aty, Shpresa, kjo grua e dashur e tij, kjo grua e fortë, kjo grua e zgjuar, e mbetur pa nënë në moshën e rinisë, kjo nënë e imja e dytë, më telefonoi duke qarë: Berat, Haqifi është në spital. Është keq. Mjekët nuk po na premtojnë kthimin e tij në shtëpi. Të lutem, librin që ta ka dërguar për botim, nxirre sa më shpejt prej shtypit, se i ka mbetur brengë e dëshiron ta shohë.

Menjëherë i telefonova profesor Emin Eminit. I bëra me dije se Haqifi është në QKUK dhe po përballet me “vdekjen”. “E di”, – më tha. “Unë po shkoj po e vizitoj. A po vjen edhe ti?” “Po, patjetër. Ku po takohemi?” “Në ‘Edi 2’”. Pas nja gjysmë orë u takuam aty dhe u nisëm për QKUK. Kur hymë në dhomën e spitalit, Haqifi i shtrirë në shtrat, Shpresa përbri tij.

– Shpresë, na tranove. Haqa qenka mirë. Çohu prof ec në shtëpi!, – i thashë.

Me një buzëqeshje të lehtë e zë të ulët, Haqifi më tha: – Isha keq por, po më duket, tash po bëj më mirë. Shpresa shtoi: – Bëri më mirë sapo më the se në këtë javë do t’i botohet libri.

Na foli për kushtet dhe për përkujdesjen e mjekëve në spital. I lavdëroi shumë. Ndenjëm nja gjysmë orë dhe i thamë njëri-tjetrit mirupafshim! U pamë pas nja një jave në kryeqytet.

– Shpëtova për pak, o Berat! Ndodhi mrekulli. Njëmend, kur nuk është e shkruar, nuk niset njeriu për botën tjetër.

– Gjatë do të jetosh, prof. Do të shkruash edhe shumë libra.

– Ma merr mendja po. Në vitin tjetër po e botojmë studimin ‘Teatri dhe drama’, pastaj i kam edhe dy projekte të tjera.

Një muaj më parë e dërgova në shtyp librin e tij “Teatri dhe drama” pastaj, para dy javësh, së bashku me Polianën, ia dërgova ekzemplarët te dera e shtëpisë. Doli i mori vetë. Nuk paraqiti gjendje të rënduar as fizike as shpirtërore. I njëjti Haqif si para pesëmbëdhjetë vjetësh që e pata njohur. Atëkohë isha student i tij në dramaturgji, ndërkohë u bëra student i tij edhe në gazetari. Pasi i dhashë provimet në dramaturgji, e përgatita temën e diplomës dhe ia dorëzova mentor Haqifit, i cili më tha eja mbroje. E mbrojta jo atë vit, por katër vjet pas. Hajt sot, hajt nesër, si të gjithë shqiptarët që i lënë punët. Një ditë prej ditësh më ftoi në kafe dhe më qortoi për të mirë:

– Pse bre burrë nuk po vjen ta mbrosh punimin e diplomës? A duhet me ardhë me të marrë me zor a?

– Jo bre prof, por s’po më duhet. Në punë paradite, në punë pasdite, punë edhe në mbrëmje.

– Diploma të duhet gjithmonë. Ti punimin gati e ke, o burrë! Veç shtype, lidhe dhe eja mbroje.

Insistoi shumë. Më bindi. Ma theu mendjen. Atë ditë i shtypa gjashtë-shtatë ekzemplarë, të nesërmen e bëra kërkesën për mbrojtje dhe një javë pas shkova e mbrojta punimin me temë “Dramat e Qosjes” në Fakultetin e Arteve të Bukura.

Më shumë se unë, kisha bindjen se u gëzua ai. Derisa drekonim te Kafet e Vogla, më tha: – Do t’ia shohësh hairin një ditë.

Një hair tjetër o përpoq të ma bëjë një vit pas. Deshi të më angazhojë në Fakultetin e Arteve të Bukura në Degën e Dramaturgjisë. I thashë se do të konkurroj, por nuk konkurrova. Pastaj më vinte keq të takohesha me të. I dhashë fjalën e s’e mbajta. Kisha frikë se, pas angazhimit në fakultet, shtëpia ime botuese do të shkonte për lesh. Do të dëmtohej. Nuk do të mund të kontribuoja për të. Haqifi më thoshte të kundërtën. Kur ndërkohë pa vendosmërinë time dhe angazhimin në shtëpinë botuese, më tha: Të lumtë, jaran! Ndoshta të ka rënë më mirë që je angazhuar vetëm në botime.

Shpesh jepte intervista për televizione, për gazeta, për revista, për portale. Në secilën prej tyre më përmendte mua, përmendte “Armagedonin”, bashkëpunimin tonë. E zinte ngoje “Armagedonin” edhe në takimet me kolegë dhe shokë. Më donte shumë, më çmonte shumë, më fliste shumë edhe kur ndonjëherë hakërrimat i shprehja si ndonjë taleban. “Ma butë dhe ma urtë, jaran! Ngoje dostin!” I pakti njeri që ma thyente mendjen sa e si Haqa. Ndoshta që më jepte këshilla të mira. Ndoshta që më donte shumë. Ndoshta që interesohej për familjen time. Edhe për babën Rasim që e vlerësonte shumë. E doja dhe e çmoja edhe unë. Dy herë, me propozimin tim, laureat i Çmimit për Kritikë Letrare dhe Eseistikë i MKRS-së. Megjithatë, çmimet nuk i bënin shumë përshtypje. Puna artistike, po. Dhe punë të madhe ka bërë brenda dhe jashtë Kosovës. Ka shkruar drama, i ka shfaqur në skenë, ka shkruar studime për dramën kombëtare dhe ndërkombëtare. Çmime dhe mirënjohje ka marrë në çdo festival ndërkombëtar që ka shkuar herë me mbështetjen e institucioneve, herë pa. Bujari zemra dhe trupi i tij përplot. Truri i tij, enciklopedi. Kur ndonjëherë takoheshim me Haqifin dhe Milazim Krasniqin, ai na fliste për ngjarje të para pesëdhjetë vjetësh. Mbante mend edhe çfarë ka pasur njeriu veshur para pesëdhjetë vjetësh. I saktë në data. I saktë në shkencë. Kreativ në dramë, i shkathtë në regji. Kur ndonjëherë i kërkoja profesor Milazimit ndonjë referencë për ndonjë ngjarje, më thoshte kliko te “Haqif Googla”. Kapaciteti i tij, si sot i Inteligjencës Artificiale. Kishte hapësirë të madhe të kujtesës, brenda saj edhe për luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ne do ta kujtojmë dhe nderojmë sa të frymojmë në këtë planet.

E di që me këtë nekrolog nuk do të mund ta zbus dhimbjen e Shpresës, Getës, Aulonit, Alburonit, Evës së tij të dashur që do t’i mungojë shumë në mëngjes, mesditë e mesnatë, të Hakiut, Manit, Artës, Penestës, Robertit, tezës, familjarëve të tjerë të tij, të bacës Hysen e të bacës Arif, por po përpiqem të transferoj nga shpirti i tyre një copë dhimbje të madhe e të papritur. Një dërrmim të madh e të rëndë shpirtëror dhe fizik.

Bëhuni të fortë. Haqën do ta kemi gjithmonë mes nesh qoftë me hir, qoftë me pahir.

Lamtumirë, jaran!
Një ditë do të takohemi sërish.

Të fala Zotit!

 

Autori ka qenë student i tij, botues i veprave të tij, mik i tij.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se lufta për…