Lamtumirë mikja jonë e madhe dhe e shtrenjtë Ina Kasimati!

25 mars 2024 | 11:13

Shkruan: Fatmir Krasniqi

Të shtunën, më 23 mars 2024, pushoi së rrahuri zemra e madhe e Ina Kasimatit, zyshës së dashur dhe mësueses së dalluar të gjimnazit “Andon Zako Çajupi”, të Tiranës.
Lajmi për ndarjen nga jeta të vlonjates, zyshë e mësuese Ina Kasimati, ishte një lajm i trishtë dhe shumë i dhimbshëm e pikëllues për të gjithë ne miqtë e bashkëpunëtorët, si dhe shkollën”Elena Gjika”, të Prishtinës.
Ina Kasimati, mbetet përjetësisht mike shumë e dashur dhe e shtrenjtë, e pakrahasueshme dhe e pazëvendësueshme.
Një mësuese shembull, pedagoge e shkëlqyer, veprimtare e shquar, bashkëpunëtore e dalluar dhe e palodhshme .
Ishte një koordinatore e përkushtuar e veprimtarive të përbashkëta kulturo-artistike dhe e lidhjes së urave të vëllazërimit e të binjakëzimit të shkollave Shqipëri e Kosovë.
Gjithnjë thoshte me shumë krenari: “Jemi një”. 
Dhe, me plot të drejtë e meriton epitetin e madh, Ambasadore e Kulturës.
Ina rrezatonte mirësjellje, dhuronte buzëqeshje e dashuri, mirësi e bujari, fisnikëri e humanizëm!
Me vepra e ka dëshmuar bujarinë e saj, kur në prill të vitit 2007, në banesën e saj me qera në Tiranë, na priti ngrohtësisht një grup nxënësish dhe ne dy mësimdhënësve të shkollës sonë.
Humanizmin e madh e të rrallë e dëshmoi edhe me rastin e Tragjedisë së maturantëve të gjimnazit “Abdyl Frashëri”, të Malishevës, ku më 14 tetor 2004, në Fushë Arrëz të Pukës, pati ndodhur një aksident tragjik, e mësuese Ina Kasimati, së bashku me nxënësit e saj të gjimnazit, ndër të parët shkuan në spitalin e Tiranës për t’i vizituar nxënësit e lënduar malishevas dhe duke u dhuruar gjak.
Bashkë me Inën arritëm t’i binjakëzojmë gjimnazin me traditë dhe ndër më të njohurit në Shqipëri, gjimnazin “Asim Zeneli”, të Gjirokastrës dhe gjimnazin “Abdyl Frashëri”, të Malishevës, tani mban emrin”Hamdi Berisha”.
Me Ina Kasimatin kemi filluar bashkëpunimin shumë të çiltër vëllazëror, arsimor e kulturor, të pandërprerë që nga muaji maj i vitit 2006 e deri në nëntor të vitit 2018.
Gjatë kësaj kohe Ina e fitoi betejën e parë me kancerin! Një betejë e përballje me kancerin e pata edhe unë në fillim të 2020-tës!
Më 30 maj 2006, në organizimin e palodhshëm të Inës, në sallën e Kinemasë së Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës në Tiranë, nxënësit e gjimnazit “Andon Zako Çajupi”, të Tiranës, së bashku me nxënësit e shkollës fillore “Elena Gjika”, të Prishtinës, shfaqëm shfaqjen e përbashkët “Kush e solli Doruntinën”.
Po ashtu, më 23 shtator 2006, në Prishtinë, në Teatrin Kombëtar, u dha shfaqja e përbashkët “Kush e solli Doruntinën”.
Dhe, që nga ky vit e deri në nëntor 2018, pandërprerë organizuam shumë veprimtari të përbashkëta mbarëkombëtare kulturo- arsimore e artistike, me energjiken e të palodhshmen zyshë Inën.


Takimi ynë i përbashkët me Inën, të ndjerat e të paharruarat Liri Shkëmbi, ish drejtoreshë e mike jona e paharruar dhe Kozeta Noti, mësimdhënëse e pedagoge universitare, si dhe veprimtare e madhe, së bashku edhe me shumë personalitete të shquara nga Tirana e Prishtina, me nxënës e mësimdhënës të shkollës sonë, patëm kënaqësinë ta kemi në shkollën tonë, ku organizuam një veprimtari të rrallë në kuadër të Vitit të Gjergjit, me rastin e 550-Vjetorit të Gjergj Kastriotit Skënderbeut si dhe 12-Vjetorin e bashkëpunimit të shkollës sonë me Tiranën, Gjirokastrën e Durrësin, shkollën e binjakëzuar “Niket Dardani”, shkollat “Asim Zeneli” e “Naim Frashëri”, Gjirokastër, “Shkollën e Kuqe”, e “Dora d’Istria”, të Tiranës, Qendrën Kulturore të Fëmijëve të Tiranës,në krye me Ardita Repishtin,veprimtaren e miken e madhe të shkollës sonë, Kryeministrinë e Shqipërisë, Qendrën Evropiane të Edukimit të Tiranës!
Ina, tashmë e ndjerë, atë ditë e atë mbrëmje me shumë emocione u zotua duke thënë se “Do të bëjmë edhe shumë gjëra të mira të përbashkëta për nxënësit dhe të rinjtë tanë.”
Dhe, mesazhi i fundit që ia kemi uruar njëri-tjetrit Ditën e Mësuesit, ishte më 7 mars të këtij muaji, ora 9.33min.
E urova për Ditën e Mësuesit dhe duke i dëshiruar shërim e kthim të mbarë në Vlorën e saj të dashur e në Vlorën tonë të bukur!
Ina mbetet dhe është shembull i rrallë i një luftëtareje në luftë e në betejë me kancerin, me këtë sëmundje tinëzare.
Betejën e parë e fitoi, siç fitoi edhe shumë beteja të tjera, por për fat betejën e fundit nuk mundi ta përballojë!
Ina gjithmonë na ka bashkuar, e për Inën u bënë bashkë të gjithë shqiptarët për ta ndihmuar dhe për të shprehur dashurinë e pakufishme.
Ina, një mësuese e nënë heroike.
Inë,i deshe fort nxënësit.E deshe “Elena Gjikën”.
Shumë e deshe Kosovën!
Inë e dashur, pusho në paqe e të ndrittë shpirti!
Fatmir Krasniqi, miku e bashkëpunëtori yt, mësimdhës i pensionuar

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard…