Lansohet gara edukative “Stock Market Learning Competition Game” për avancimin e edukimit financiar në Kosovë përmes pjesëmarrjes në Bursën Virtuale të Shtutgartit

23 tetor 2025 | 16:29

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) në bashkëpunim me Fondacionin Gjerman për Bashkëpunim Ndërkombëtar  Sparkassenstiftung  dhe Shoqatën e Bankave të Kosovës (SHBK), ka lansuar zyrtarisht garën “Stock Market Learning Competition Game”, një iniciativë e rëndësishme edukative rajonale që synon të pajisë studentët dhe profesionistët e rinj me njohuri praktike dhe të thelluara mbi tregjet e kapitalit.

Ngjarja mblodhi përfaqësues të BQK-së, Fondacionit Gjerman për Bashkëpunim Ndërkombëtar  Sparkassenstiftung dhe SHBK-së, si dhe studentë nga tetë fakultete të ndryshme dhe punonjës të rinj të bankave në Kosovë. Të pranishëm në ceremoni virtuale për të nisur këtë projekt ishin z. Ahmet Ismaili, Guvernator i BQK-së, Drejtori i Përgjithshëm i Sparkassenstiftung, z. Niclaus Bergmann, znj. Katharina Middel, Menaxhere e Projektit me ekipin e saj, si dhe z. Petrit Balija, Kryeshef Ekzekutiv i Shoqatës së Bankave të Kosovës.

Guvernatori Ismaili theksoi se lansimi i garës “Stock Market Learning Competition Game” përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt promovimit të edukimit financiar dhe forcimit të ekosistemit të edukimit financiar në Kosovë. Ai nënvizoi se kjo iniciativë është plotësisht në përputhje me Planin Strategjik të BQK-së, i cili synon të promovojë edukimin financiar, të përmirësojë qasjen në financa, të nxisë përfshirjen financiare dhe të inkurajojë praktikat më të mira në sektorin financiar.

Ai nënvizoi përkushtimin e vazhdueshëm të BQK-së për të avancuar edukimin financiar përmes një sërë programesh, përfshirë çmimet për ekonomistët e rinj dhe për gazetarinë financiare, si dhe bashkëpunimin me universitetet dhe shkollat e mesme në mbarë vendin. Gjithashtu theksoi rëndësinë e kombinimit të edukimit financiar me shkathtësi digjitale në realitetin e sotëm financiar në ndryshim të shpejtë. Teknologjitë si Fintech, Blockchain, inteligjenca artificiale, po transformojnë mënyrën se si ofrohen dhe përdoren shërbimet financiare. Të kuptuarit e financave përkrah këtyre mjeteve digjitale i ndihmon të rinjtë të menaxhojnë më mirë rreziqet, të identifikojnë mundësi inovative dhe të kontribuojnë në ndërtimin e një sistemi financiar modern dhe gjithëpërfshirës.

Në fjalën e tij ai thekoi se BQK vazhdon të promovojë gjithashtu transparencën dhe fuqizimin e konsumatorëve përmes iniciativave si Platforma për Krahasimin e Produkteve dhe Shërbimeve Financiare, e cila u mundëson qytetarëve të marrin vendime të informuara bazuar në të dhëna të qarta dhe të qasshme.

Derisa foli për zhvillimin e sektorit financiar, ai theksoi gjithashtu se krahas zhvillimit të tregut të letrave me vlerë të Republikës së Kosovës, Guvernatori Ismaili theksoi se jemi në fazat e para të zhvillimit të tregjeve të kapitalit, me koncept dokumentin e aprovuar, në përputhje me rregulloret e Bashkimit Evropian dhe praktikat më të mira ndërkombëtare. Zhvillimi i tregut të kapitalit në nivel regjional, dhe i integruar me tregun e unifikuar të Bashkimit Evropian, duhet të përbëj orientimet strategjike të vendeve tona.

U nënvizua rëndësia e bashkëpunimit ndërkombëtar në arritjen e këtyre qëllimeve, ndërsa ky partneritet është një shembull i shkëlqyer se si praktikat më të mira ndërkombëtare mund të përshtaten me sukses në kontekstin lokal, duke krijuar mundësi reale për mësim dhe zhvillim profesional, përmes së cilës studentët dhe bankierët e rinj do të përfitojnë përvojë praktike, zhvillojnë aftësi analitike dhe thellojnë njohuritë mbi dinamikat e tregjeve.

Gara “Stock Market Learning Competition Game” do të përmbyllet me ndarjen e çmimeve për tri ekipet më të suksesshme, duke vlerësuar njohuritë, aftësitë analitike dhe përkushtimin e tyre ndaj ekselencës. Këto çmime synojnë të motivojnë pjesëmarrësit të vazhdojnë zhvillimin profesional dhe të kontribuojnë në ndërtimin e një sistemi financiar më dinamik dhe më të qëndrueshëm.

Të dy institucionet mbeten të përkushtuara në zhvillimin e iniciativave të qëndrueshme dhe afatgjata që mbështesin ekosistemin e edukimit financiar në Kosovë dhe u ofrojnë të rinjve mundësi praktike në fushën e financave dhe tregjeve të kapitaleve.

Në përmbyllje, duke ju uruar suksese, Guvernatori Ismaili falënderoi të gjithë organizatorët, partnerët dhe pjesëmarrësit për përkushtimin dhe bashkëpunimin e tyre, duke rikonfirmuar zotimin e  BQK-së për promovimin e edukimit financiar, përfshirjes dhe transparencës, si dhe për ndërtimin e bazës së një kulture financiare të qëndrueshme në Kosovë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Tre persona janë arrestuar në Londër me dyshimin se kanë…