
Lansohet platforma online për denoncimin e pasivizimit të adresave shqiptare në Luginë të Preshevës
Deputeti shqiptar në parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi përmes një postimi në “Facebook” ka publikuar faqen ku mund të raportohet pasivizimi i adresave në Luginë të Preshevës.
Ai është shprehur se pasivizimi që po ushtrohet ndaj atje, nga ana e autoriteteve shtetërore të Serbisë, siç tha, paraqet metodën e sofistikuar të spastrimit të heshtur etnik.
“Raporto pasivizimin te faqja e KDNj: pasivizimi.com. Pasivizimi që, viteve të fundit, po ushtrohet ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës nga ana e autoriteteve shtetërore të Serbisë, paraqet metodën e sofistikuar të spastrimit të heshtur etnik”, ka shkruar ai.
Kamberi gjithashtu ka thënë se krijimi i kushteve të barabarta të jetës, nëpërmjet inkuadrimit të drejtë e proporcional në institucionet publike e shtetërore ishin siçu shpreh, qëndrimet bazë të tri marrëveshjeve të nënshkruara.
“Edhe pse që nga përfundimi i konfliktit të armatosur, përfaqësuesit politik shqiptar, me ndërmjetësimin edhe të ambasadave mike që veprojnë në Beograd, kanë nënshkruar disa marrëveshje me qeverinë në Beograd, mungesa e vullnetit politik në kryeqendrën e Serbisë ka bërë që këto marrëveshje të mos respektohen. Krijimi i kushteve të barabarta të jetës, nëpërmjet inkuadrimit të drejtë e proporcional në institucionet publike e shtetërore ishin qëndrimet bazë të tri marrëveshjeve të nënshkruara.Qeveritë në Beograd, në vazhdimësi dëshmuan se edhe marrëveshjet e nënshkruara, e programet e aprovuara nga vet ajo, i shkelin dhe nuk i respektojnë”.
“Përkundër kësaj, në vend të ndërmarrjes së masave afirmative për të përmirësuar pozitën e shqiptarëve, Ministria e punëve të brendshme e Serbisë, duke i keqpërdorur në mënyrë drastrike dispozitat e Ligjit për vendbanimin dhe vendqëndrimin ka nisur procesin e pasivizimit të adresave për mijëra shqiptarë, metodë kjo administrative e spastrimit etnik apo shpopullimit të Luginës së Preshevës”.
“Ky proces, jo vetëm nga përfaqësuesi politik e institucional të shqiptarëve, por edhe nga shoqëria civile në serbi, vëzhgues të jashtë e institucione ndërkombëtare është cilësuar si shkelje e të drejtave elementare të njeriut, meqë është duke u zbatuar në mënyrë selektive ndaj shqiptarëve që jetojnë në Luginë të Preshevës”, ka shkruar Kamberi.
Ai ka thënë se pasivizimi i adresave, ndikon në humbjen e shumë të drejtave civile, sikurse edhe në humbjen e të drejtës së votës.
“Prapavija e gjithë këtij marifeti është tentativa që përmes pasivizimit të adresave në mënyrë selektive ndaj shqiptarëve, të krijohet një pasqyrë e rrejshme të strukturës demografike, e cila nuk përkon as për së afërmi me gjendjen faktike në terren. Pasivizimi i adresave, ndikon në humbjen e shmë të drejtave civile, sikurse edhe në humbjen e të drejtës së votës”.
“Përmes këtij procesi diskriminues e jashtëzakonisht të dëmshëm, përfaqësimi i shqiptarëve në pushtetin lokal në Medvegjë është minimizuar ekstremisht, prj tetë asemblistë në Kuvendin komunal sa ishin në vitin 2018, tanimë përfaqësohen vetëm me dy. Pra, shihet qartë se pasivizimi i adresave është mekanizmi nëpërmjet të cilit Beogradi po kryen shpopullimin e këtyre komunave nga shqiptarët. Kjo është një krim”.
“Për ta eliminuar këtë proces dhe pasojat e tij të dëmshme, për çdo ditë me angazhimit tonë të përditshëm duhet të senzibilizojmë e opinionit kombëtar e ndërkombëtar. Për të qenë i sukseshëm angazhimi jonë për ndërkomëtarizimin e kësaj problematike duhet edhe bashkëpunimi i secilit qytetarë të prekur nga procesi i pasivizimit të adresave. Prandaj, për njoftim të rasteve apo edhe këshilla juridike, ata duhet të paraqiten në platformën e hapur enkas për pasivizimin nga Këshilli për të Drejtat e Njeriut në Luginë www.pasivizimi.com. Krimi që po kryhet duhet dëshmuar. Dëshmia më e fortë është deklarata e njerëzve të prekur nga ky proces”, ka shkruar Kamberi.