Lansohet platforma që përfaqëson interesat e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës

29 prill 2021 | 11:57

Është lansuar të enjten platforma “Bëhu zëri im”, që do të shërbejë si pikë referente në përfaqësimin e interesave të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë dhe në fuqizimin e tyre edhe në nivel ndërkombëtar.

Kjo platformë është themeluar nga katër organizata joqeveritare: Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Qendra për Promovimin e Drejtave të Grave, “Medica Gjakova” dhe “Medica Kosova”, me qëllim të realizimit të të drejtave dhe fuqizimi i të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimim e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), Feride Rushiti, ka thënë se përmes kësaj platforme synojnë të jenë zë i fuqishëm i të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Më tutje, Rushiti ka thënë se do të ngrisin këtë çështje edhe në nivel ndërkombëtar, duke synuar që kauza të cilën e ka kjo platformë të jetë zë i fuqishëm edhe në dialogun me Serbinë.

“Edhe pse jemi vonuar, nuk dihet ta lëmë anash drejtësinë e cila nuk është arrit. Ideja për këtë platformë ka filluar në vitin 2018, për te mbështetur të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Kjo platformë përveç që ka për qëllim përforcimin e kauzës, ka për qëllim ngritjen e kësaj kauze në nivel ndërkombëtar. Ne mendojmë edhe më tej të forcojmë zërin e viktimave”, ka thënë Rushiti.

Ndërsa Edward Lister nga Ambasada e Britanisë së Madhe, ka thënë se platforma e lansuar të enjten do të jetë një zë i fuqishëm në adresimin e nevojave të të mbijetuarve të dhunës seksuale në Kosovë.

Në anën tjetër, Mirlinda Sada, drejtoreshe e “Medica Gjakova”, ka bërë me dije se kanë filluar të ofrojnë ndihmë edhe për familjarët e të mbijetuarve të dhunës seksuale, pasi sipas saj traumat janë bartur edhe tek ta dhe në disa gjenerata.

Kurse drejtoresha e “Medica Kosova”, Veprore Shehu, ka thënë se për shkak të ndjeshmërisë së rasteve dhe traumave të shumëfishta që viktimat kanë pasur, ka qenë shumë e vështirë paraqitja e ofertës për ta./ksp/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kina lansoi të enjten modulin kryesor të stacionit të saj…