
Lansohet sistemi digjital i inspektimeve të punës në Kosovë
Inspektorati Qendror i Punës ka lansuar sistemin digjital të inspektimeve të punës në Kosovë, duke përfshirë dorëzimin e pajisjeve dhe trajnimin praktik për inspektorët mbi përdorimin e këtij sistemi.
Me këtë rast, ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe ndikimin e këtij projekti në përmirësimin e kushteve të punës.
“Kosova po i afrohet anëtarësimit në BE. Po ashtu e keni avancuar punën e inspektimit të punës. Pra, këtu është një shembull më i qartë se si bashkëpunimi ndërkombëtar ndikon. Po ashtu, dua ta lavdërojë për lansimin digjital të inspektimeve sepse kjo dëshmon një profesionalizëm dhe një punë efektive. Masa të tilla mund të rrisin mbikëqyrjen dhe t’i mbrojnë punëtorët. Kjo iniciativë është e Kosovës për të nxitur efikasitetin dhe punën. Siç e dini, këtë vit kemi pasur një numër të fataliteteve të personave në vendin e punës, prandaj kemi nevojë që të vazhdojmë të përmirësojmë punën tuaj. Shembulli suedez tregon se kombinimi i formave dhe shfrytëzimi i mjeteve digjitale rrisin standardet e vendit të punës dhe jemi mirënjohës që kemi një bashkëpunim kaq të mirë”, ka thënë ambasadori Westerlund.
Ndërsa ushtruesi i detyrës së drejtorit të Zyrës së Inspektoratit të Përgjithshëm, Lum Vranica, ka thënë se sistemi i ri digjital është një hap drejt modernizimit dhe transparencës.
“Ky është një hap i madh drejt modernizimit dhe efikasitetit se si ligji funksionon në mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve. Në kuadër të kësaj reforme të gjithanshme, qëllimi është i qartë: më shumë transparencë dhe efikasitet për qytetarët dhe më pak burokraci. Ky është vetëm fillimi i një transformimi të thellë. Dua të falënderoj inspektorët për punën dhe angazhimin e tyre si dhe partnerët tanë ndërkombëtarë. Bashkë po ndërtojmë një sistem inspektimesh që i shërben qytetarëve tanë”, ka thënë Vranica.
Në anën tjetër, ushtruesi i detyrës së drejtorit të Inspektoratit të Punës, Rizal Plakolli, ka vlerësuar se ky sistem është më shumë se një risi teknologjike.
“Ky sistem përfaqëson më shumë se një risi të teknologjisë, ky është një hap drejt modernizimit të inspektimit të punës. Falë këtij sistemi do të krijohet një proces më efikas dhe i lidhur ngushtë me institucionet tjera. Një element i rëndësishëm është se ky sistem është i lidhur me Administratën Tatimore të Kosovës. Kjo tregon se për herë të parë Inspektorati i Punës do të ketë një pamje më të integruar. Krahas këtij sistemi, dua të theksoj disa hapa të rëndësishëm: së pari, jemi në proces të rekrutimit të 50 inspektorëve të rinj, kjo është një rritje e kapaciteteve tona dhe mundësi për reagime më të shpejta ndaj shkeljeve të të drejtave të punëtorëve. E dyta, është miratuar rregullorja që parasheh ndarjen në inspektorë të sigurisë dhe të marrëdhënieve të punës, të cilët do të punojnë në fusha të veçanta. E treta, sistemi digjital që po e implementojmë do të lehtësojë dhe shpejtojë ndjeshëm punën tonë. Në këtë kuadër, më lejoni të shpreh një mirënjohje të thellë ndaj Ambasadës Suedeze për mbështetjen ndaj Inspektoratit të Punës, ka thënë Plakolli.
Më tutje, zyrtari i programit të Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO) për Kosovë, Blerim Murtezi, ka theksuar se ky projekt është rezultat i bashkëpunimit mes institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.
Kurse drejtoresha e Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Lumnije Ajdini, ka thënë se gjithmonë kanë qenë zëri përfaqësues i punëdhënësve në Kosovë.
“Digjitalizimi i inspektimeve është një hap drejt ndërtimit të besimit ndërmjet institucioneve publike dhe sektorit privat. Me këtë sistem të ri krijohet mundësia për një proces më të drejtë, më të shpejtë dhe më të paanshëm, ku çdo palë qoftë inspektori, punëdhënësi apo punëtori ka qasje të barabartë në informacione dhe në transparencë. Ky projekt, i mbështetur nga Qeveria e Suedisë dhe Organizata Ndërkombëtare e Punës, është dëshmi e vlerës së bashkëpunimit ndërkombëtar dhe institucional. Si AKB, ne besojmë se vetëm përmes partneritetit të sinqertë midis qeverisë, punëdhënësve dhe punëtorëve mund të ndërtojmë një treg pune të qëndrueshëm, të drejtë dhe të formalizuar”, ka thënë Ajdini. /EO