Laporta i prerë, e përjashton mundësinë e rikthimit të Messit në Barcelonë

12 nëntor 2025 | 16:39

Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, ka bërë një hap të guximshëm duke përjashtuar mundësinë e rikthimit të Lionel Messit në klub gjatë mandatit të tij. Superylli argjentinas bëri një rikthim të papritur në “Camp Nou” të dielën mbrëma dhe pranoi në një intervistë se i mungon jeta në qytet.

Së fundmi, Messi ka nënshkruar një zgjatje kontrate me Inter Miamin deri në vitin 2028, çka e bën të pamundur një rikthim si lojtar i Barcelonës. Megjithatë, ai pranoi se ai dhe familja e tij ndjejnë mall për qytetin ku u rritën.

Messi ende zotëron të njëjtën shtëpi ku jetoi për vite me radhë. Rikthimi i tij nuk ishte i njohur për klubin, dhe ai shkel sërish në “Camp Nou” pa dijeninë e Barcelonës, ndërsa Laporta ishte larg, duke ndjekur ndeshjen kundër Celta Vigos.

Shumëkush e pa domethënëse mungesën e tij pranë Laportës, për të cilin familja Messi mendohet se mban ende përgjegjësi për largimin e tij nga klubi. Në një intervistë për Catalunya Radio, Laporta u pyet për këtë ngjarje.

“Nuk e dija që do të vinte, por ‘Spotify Camp Nou’ është shtëpia e tij. Kur ma shpjeguan si ndodhi, më thanë që ishte një vendim spontan, kishte mbaruar darkën dhe vendosi të vinte me disa miq”, tha ai.

Laporta  shprehu dëshirën që Barcelona të organizojë një ndeshje lamtumire për Messin, për t’i dhënë atij mundësinë të përshëndetet me tifozët që e kanë adhuruar gjatë gjithë karrierës së tij. Ai gjithashtu dëshiron që Messi të jetë personi që do të rihapë “Camp Nou”-n e rinovuar plotësisht.“Është krejtësisht e drejtë që Leo të marrë nderimin më të bukur në botë. Kur stadiumi të përfundojë, do të ketë kapacitet 105 mijë spektatorë, ndaj do të ishte fantastike ta kemi atë aty. Po punojmë për këtë nderim dhe për t’u siguruar që futbolli më i mirë në botë të shihet sërish në Barcelonë, dhe pjesë e kësaj është t’i japim Leos nderimin që e meriton”, tha Laporta

Megjithatë, përkundër dëshirës për ta nderuar, Laporta nuk është i gatshëm të diskutojë një rikthim të përhershëm të Messit si lojtar.“Nuk ndodhi ashtu siç dëshironim të gjithë, por gjërat ishin siç ishin. Nëse kjo ndeshje mund të ndihmojë të korrigjojmë diçka që s’u bë siç duhet, do të ishte mirë. Por të spekulojmë për një rikthim të tij si lojtar nuk është e përshtatshme”, tha Laporta.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pesë lojtarë raportohet se nuk janë plotësisht të kënaqur me…