Largimi i dy kamionëve barrikadues te Kërshi i Dudës i mori KFOR-it pesë orë

03 janar 2023 | 20:26

E paralajmëruan si punë minutash, por KFOR-it iu dashtë më shumë se 5 orë për të lëvizur nga vendi barrikadat e fundit të mbetura në pjesën veriore të Kosovës.

Pas konsultave mes anëtarëve të misionit të NATO-s e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës që gjithashtu ishin këtu bashkë edhe me anëtarë të EULEX, rruga u lirua për qarkullim.

Koha i erdhi kontrolleve të detajuara te vendi i ngjarjes, por fillimisht poshtë urës, ku ishte vendosur barrikada të vendi që njihet si Kërshi i Dudës.

E pastaj bashkë edhe me qenin e trajnuar për gjetjen e mjeteve shpërthyese, pjesëtarët e KFOR nisen drejt kamionëve të djegur që ishin vendosur aty javën e kaluar.

Vazhdimisht te vendi i barrikaduar po vinin edhe përforcimet e KFOR-it. Aty ishin edhe ekipet mjekësore për çdo rast.

Për mjek nuk pati nevojë kush, por këtu u desh me patjetër edhe një ekskavator për largimin e ngarkesave në kamion.

Kur kamioni i parë u largua, atë e nisën në drejtim të Mitrovicës së Jugut.

Ura u zhbllokua, e sipas KFOR-it synimi për lëvizje të lirë në përputhje me mandatin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, qe arsyeja e këtij aksioni.

Kujtojmë që serbët veriorë nga data 10 dhjetor kishin vendosur pengesa në disa rrugë të komunave veriore, çka kishte shtyrë edhe mbylljen e dy pikave kufitare Jarinjë dhe Bërnjak.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Numri i papunësisë në Kosovë sipas statistikave zyrtare vazhdon të…