Latifi diskuton për rritjen e efikasitetit në menaxhimin e mbeturinave dhe zgjerimin e shërbimeve
Kryetari i Rahovec, Smajl Latifi, ka pritur në takim Burim Shalën, kryeshef ekzekutiv i KRM Ekorregjioni Sh.A., si dhe Mentor Durgutin, drejtori i njësisë së kësaj kompanie në Rahovec.
Kryetari Latifi ka vlerësuar përkushtimin dhe bashkëpunimin e tyre, të cilët po japin një kontribut të rëndësishëm në përmirësimin e shërbimeve për qytetarët tanë.
“Diskutuam për rritjen e efikasitetit në menaxhimin e mbeturinave, zgjerimin e shërbimeve, për procesin e digjitalizimit të shërbimeve, duke përfshirë edhe mundësinë e pagesave online, si dhe adresimin e sfidave të përditshme me qëllim që t’u ofrojmë qytetarëve standarde më të larta dhe një ambient më të pastër. Me këtë frymë bashkëpunimi, vazhdojmë të ofrojmë shërbime moderne dhe një Rahovec më të pastër e më efikas çdo ditë”, ka shkruar ai në “Facebook”.



