Latifi: Kosova i ka marrë tiparet e një shteti të dështuar, gjendja është e tmerrshme

01 tetor 2025 | 23:07

Profesori universitar Blerim Latifi ka bërë një vlerësim jashtëzakonisht kritik të situatës politike në Kosovë, duke thënë se vendi po tregon shenjat e një shteti të dështuar, në një kohë kur Kuvendi i vendit nuk është konstituuar për një vit të tërë.

Në një deklaratë të ashpër, Latifi tha se Kosova ka marrë të gjitha tiparet e një shteti që po dështon, me një klasë politike që nuk respekton as kërkesat kushtetuese.

“Ky vend i ka marrë krejt tiparet e një shteti të dështum. Ke një klasë politke që as s’i përfill kërkesat kushtetuese,” tha Latifi.

Profesori shprehu shqetësim të thellë edhe për qëndrimin e qytetarëve ndaj kësaj gjendje, duke e quajtur atë apati totale.

“Tragjikja, është apatia totale qytetare ndaj krejt kësaj gjendje, askush nuk brengoset që para syve të botës po shkërmoqet një shtet, krejt janë pajtu që kjo punë maroi me qekaq,” deklaroi ai.

Latifi theksoi se shtetet nuk dështojnë vetëm nga sulmet e jashtme, por edhe nga disfunksionaliteti i brendshëm, siç po ndodh aktualisht në Kosovë.

“Shtetet nuk dështojnë veç nga sulmet e agresione te jashtme, por edhe kështu. Se ti ke një vit që nuk ke parlament,” tha profesori, duke shtuar se kjo është një nga shenjat e qarta të dështimit të shtetit.

Sipas tij, një nga treguesit kryesorë të një shteti të dështuar është paaftësia për të hyrë në marrëdhënie ndërkombëtare meshtetet e tjera, diçka që Kosova ka dëmtuar rëndë.

“Një shtet mes tjerave konsiderohet i dështuar, mes tjerash, kur nuk ka kapacitet me hy në marrëdhënie ndërkombëtare me shtetet e tjera. Na aktualisht i kemi shkatërru këto. Kjo është një gjendje e tmerrshme,” theksoi Latifi.

Profesori gjithashtu vuri në dyshim legjitimitetin e parlamentit aktual, duke thënë se ai e ka humbur atë për shkak të moskonstituimit për një kohë kaq të gjatë.

“Ky parlaament nuk është më legjitim, nëse për aq kohë s’ka arrit mu konstituu. Por, ky parlament e ka shpenzu e humb legjitimitetin,” tha ai.

Latifi drejtoi kritika edhe ndaj dinamikave mes partive politike, duke akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se ka krijuar një monopol mbi narrativën patriotike në vend.

“Çka është elementi tjetër, është se partitë e tjera kanë ra tërësisht nën shantazhin patriotik të Vetëvendosjes. VV ka marrë monopolin mbi interpretimin patriot të politikës në Kosovë, monopol mbi standardin se kush është patriot,” deklaroi profesori.

Ai shtoi se ky monopol ka bërë që partitë e tjera të veprojnë sipas logjikës së Vetëvendosjes, gjë që po e thellón krizën institucionale.

“Dhe ata do të votojnë si Vetëvendosja, dhe nuk do ta kemi një Nënkryetar nga Lista Serbe,” tha Latifi.

Në fund të deklaratës së tij, profesori shprehu keqardhje për atë që mund të vijë – një konstatim ndërkombëtar për dështimin e Kosovës si shtet.

“Dhe më vjen keq, kur dikush nga ndërkombëtarët do të delë e të thotë, se na vjen keq por ka dështu Kosova,” përfundoi Latifi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kandidati i PDK-së për kryetar të Lipjanit, Shukri Buja, ka…