
LATIFI: RAHOVECI BËHET ME INTERNET PUBLIK FALAS
Kryetari i komunë së Rahovecit dhe njëherit kandidati për kryetar komune nga radhët e AAK-së, Smajl Latifi ka bërë të ditur se komuna e Raovecit është përzgjedhur përfituese nga Iniciativa WiFi4WB për funksionalizimin e tre pikave kyçe të komunës me internet publik falas.
Njoftimi i plotë:
Të dashur qytetarë, sot pranuam lajmin e mirë se Komuna e Rahovecit është përzgjedhur përfituese nga Iniciativa WiFi4WB për funksionalizimin e tre pikave kyçe të komunës me internet publik falas.
Mbetet që shumë shpejtë, në koordinim me Telekomin e Kosovës, të nis shtrirja e infrastrukturës për pajisje me internet falas në pikat e përzgjedhura: Sheshi i Qytetit, Krushë e Madhe si dhe fshati Ratkoc.
Ky është një përfitim tjetër i rëndësishëm për komunën tonë, duke qenë se qasja në internet tani është një domosdoshmëri për punëtorët e bizneset, artistët e të rinjtë, si dhe për të gjithë qytetarët në përgjithësi.
Kjo iniciativë implementohet në kuadër të Projektit EU4Digital, i bashkëthemeluar dhe financuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Federale e Gjermanisë (GIZ). Shfrytëzoj rastin që të falënderoj BE-në dhe Qeverinë e Gjermanisë për përfshirjen e komunës sonë në këtë projekt tejet të rëndësishëm.