Lavdi emrit dhe veprës sate të madhe, miku im!

28 korrik 2023 | 08:29

Fadil Hysaj

Haqif Mulliqin, pos mik, kam pasur rastin dhe nderin ta kisha student në gjeneratën e parë të dramaturgëve në fillim të viteve ’90, por me të njihesha shumë më herët. Në komunikimet e para me të kemi qenë bashkëbisedues dhe këmbyes mendimesh në gjithçka që kishte vlerë të debatohej.

Në çastin që mora lajmin e trishtë, se Haqif Mulliqi s’do të jetë më në mesin tonë, në mendjen time nisa të provoj ta rikrijoj portretin e figurës së tij. I kishim dhënë fjalën njëri-tjetrit se cilido prej nesh të ikte i pari, ai që do të mbetej gjallë do të fliste për të në ditën e varrimit. Ndodhi që Haqifi të ikë më herët, edhe pse ishte shtatë vjet më i ri se unë. Dhe kisha vetëm një ditë kohë për të bërë një portret të personalitetit të tij të denjë – për lamtumirën e pjesës trupore të ekzistencës së tij të cilën ai nuk arriti ta bënte zap dhe ta detyronte t’i shërbente edhe një kohë derisa t’i kryente edhe disa punë të tjera të cilat e di se i kishte nisur dhe disa të tjera që kishte nder mend t’i niste… Po trupi nuk është si mendja. Atë nuk mund ta kemi as ta urdhërojmë të na bindet. Trupi është i tokës dhe ruan të drejtën që kur e kaplon lodhja dhe dhimbjet e papërballueshme që sjell jeta, dëshiron t’i kthehet tokës…Prandaj Haqifi ngutej dhe sa herë ndihej mirë me shëndet donte ta shfrytëzonte atë pak kohë për t’i përfunduar veprat e filluar. Shkenca thotë se mosha biologjike e ekzistencës së njeriut mund të arrijë deri në 128 vjet. Ka që e kanë arritur atë moshë dhe janë përmendur si njerëz që kanë jetuar gjatë. Ai ka qenë tregimi për jetën e tyre. Por nëse do ta lexonim jetën e Haqif Mulliqit përmes një kalendari të bëmave të tij (siç i llogaritin diku në Tibet), del që Haqif Mulliqi ka bërë jetë trefish më të gjatë se jeta brenda ekzistencës trupore të përmbyllur në moshën 63 vjeçe.

Jeta e Haqif Mulliqit ishte e stërmbushur me veprimtari nga më të ndryshmet, nga gazetar i jashtëzakonshëm, një pjesë edhe si gazetar lufte, pastaj si dramaturg me një plejadë dramash që sollën në dramaturgjinë shqipe zhanrin e dramës së absurdit, pastaj si regjisor që me inskenimet e dramave të tij sa e sa herë e paraqiti me shumë sukses skenën teatrore shqiptare nëpër skena e festivale jashtë Kosovës, kritik me sens të hollë analitik i shfaqjeve teatrore, observues i fenomeneve bazë të dramës, aktrimit, regjisurës dhe publikut, personalitet i fuqishëm i bisedimit medial për artin e kulturën të realizuara në Televizionin e Kosovës, në emisionin “Pro Arte”, në të cilin shpesh isha mysafir i tij. Intelektual me diapazon të gjerë dhe të thellë të njohjeve, me kujtesë gjigante dhe të sistemuar për mrekulli nga e cila me shpejtësi marramendëse ai nxirrte të dhëna të sakta për personin, kohën dhe vendin e një ndodhie apo vepre; me mendimin përkatës kritik dhe analitik të cilit ishte vështirë t’ia kontestoje, e bënin atë një personalitet karizmatik, me arsenal të madh njohurish që e bënin paraqitjen e tij sa karizmatike po aq edhe spontane në komunikim.

Por ajo që e përfaqëson denjësisht dhe fuqishëm Haqif Mulliqin janë dramat e tij dhe inskenimet, pjesën më të madhe të të cilave i kishte realizuar vetë si regjisor.

Janë aty “Trenat”, “Për të vërtetën”, “Pas luftës”, “The Kosowars”, “Parfumeria”, “Asgjë të re në jug”, “Një varr për majorin e Mbretit”, “Kaos atdhedashurie në Paris”, “Një përkujtim në kafe teatër”, “Komedia apo marrëzia njerëzore”, “Maksi dhe Kimi apo takimi pas 21 vjetësh”, “Komedia”, “Ruleti ballkanik”, “Si e mposhta Mussolinin”, “Katër epoletat” të cilat janë inskenuar në teatrot vendore dhe në ato të rajonit. Kurse drama “Katër epoletat” qe inskenuar në Teatrin e Dortmundit në Gjermani, e “Komedia” në teatrin “Corona” në Zvicër.

Shkrimet e shumta shkencore dhe eseistike, intervistat e shumta me njohës të skenës dhe dhjetëra veprat, e bënin Haqif Mulliqin personalitetin më të shkëlqyeshëm të bisedimit medial.

Bisedimi me të ka qenë mundësi e artë që të plotësosh atë që di me referenca të reja shumëburimore. Ka bërë me mua disa intervista në gazetën “Kombi”, në “Gazeta shqiptare”, “Koha ditore” dhe në gazeta të tjera, pastaj në televizionin e Kosovës, të cilat biseda kishte dëshirë t’i zbardhte dhe t’i botonte në një libër ngasë besonte se aty ishte një arkiv i bisedave për fenomene teatrore e kulturore të cilat ai mund t’i reprodukonte në kujtesë kur fliste për to.

Në secilën nga këto fushëveprimtari Haqif Mulliqi kishte prani të fuqishme. Dikujt tjetër mbase do t’i mjaftonin rezultatet vetëm të njërës prej këtyre fushave që të konsiderohej i përmbushur në jetën e tij. Por që portreti i personalitetit të tij të ketë një përshkrim të denjë për të gjithë atë që ai ishte në secilën lamë të jetës dhe veprimtarisë së tij, do të duhej që trupi i pajetë i Haqif Mulliqit të qëndronte edhe një javë së paku në morg para se ta sillnin këtu për t’i dhanë lamtumirën e fundit që, para se të ndaheshim prej tij, të shfletonim sa më shumë nga libri voluminoz i jetës së tij, e cila, para se të ketë vlerësimin e merituar, duhet të evidentohet dhe njihet.

Dhe më lejoni të kthehem sërish në fillim.

Ne sot po i japim lamtumirën vetëm trupit të tij i cili, duke mos i përballur më dhimbjet, vendosi të mos jetojë më, por ajo që ngel prapa tij, përtej jetës së tij trupore, do të vazhdojë të jetojë si ekzistencë metafizike, si diçka përtej jetës dhe vdekjes, të shpërndara nëpër hapësirë jotrupore, ku mund ta kërkojmë dhe ta gjejmë Haqif Mulliqin sa herë të na duhet edhe pse shumëçka do të gllabërojë harresa dhe heshtja e cila do të mbretërojë këtu pasi ne të largohemi.

Të qoftë i lehtë dheu mbi trupin tënd, miku im. Shpirti yt e gjet paqen në përjetësinë e një universi tjetër në të cilin ti besoje në mënyrën tënde.

Lavdi emrit dhe veprës sate të madhe, miku im!

 

Fjalë rasti në ceremoninë e varrimit të profesorit të ndjerë Haqif Mulliqi

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një qytetar në Pejë, i cili ishte ulur në një…