Lazim Destani: Të tregojmë kulturën sportive dhe të mos biem pre e provokimeve

05 gusht 2025 | 13:42

Shkëndija e Tetovës sot luan njërën nga ndeshjet më të rëndësishme të këtij sezoni – sfidën e parë të rrethit të tretë kualifikues në Ligën e Kampionëve.

Kampionët e Maqedonisë së Veriut do të përballen me Qarabagun e Azerbajxhanit, në stadiumin “Todor Proeski” në Shkup, me fillim nga ora 20:00.

Në prag të kësaj përballjeje, pronari i klubit kuqezi, z. Lazim Destani, ka drejtuar një mesazh emocional dhe një thirrje të veçantë për tifozët, duke u përqendruar jo vetëm në përkrahjen maksimale për skuadrën, por edhe në sjelljen sportive gjatë gjithë ndeshjes.

“Si tifoz i Shkëndijës, ju bëj thirrje që sot të tregojmë kulturën tonë sportive dhe të mos biem pre e provokimeve. Të mos lejojmë gjuhë urrejtjeje të asnjë forme, sepse këto nuk na përkasin dhe nuk e përfaqësojnë kulturën tonë,” thekson Destani në mesazhin e tij publik.

Ai shpreh krenarinë për ecurinë e deritanishme të klubit, duke shtuar se ëndrra vazhdon dhe objektivi është suksesi në Ligën e Kampioneve. Destani fton tifozët të mbushin tribunat dhe të japin përkrahje të pakushtëzuar për futbollistët dhe stafin, por gjithmonë në mënyrë dinjitoze.

“Ne, publiku dhe tifozët e Shkëndijës, si lojtari i 12-të, jemi shembull duke treguar nivelin tonë të lartë dhe duke e përfaqësuar me dinjitet dashurinë tonë për klubin,” vijon ai.

Ndërkohë, atmosfera në kampin kuqezi është pozitive, dhe skuadra e trajnerit Jeton Beqiri është e përqendruar maksimalisht për ta nisur me rezultat pozitiv këtë duel të vështirë ndaj një kundërshtari me përvojë të gjatë në garat evropiane.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Thomas Partey, është liruar me kusht pas paraqitjes së tij…