LDK e nominon Lumir Abdixhikun si kandidat për Kryeministër
Lidhja Demokratike e Kosovës e ka nominuar kreun e kësaj partie, Lumir Abdixhikun, si kandidat për kryeministër për zgjedhjet e 28 dhjetorit, shkruan Reporteri.net.
Këtë e kumtoi vetë Abdixhiku në një konferencë pas mbledhjes së Kryesisë. Emri i tij tash do të kalojë edhe tek Këshilli i Përgjithshëm.
“Tek çështja e kandidatit për kryeministër, ishte diskutim i shkurtë”, duke theksuar se anëtarët e Kryesisë ishin të mendimit që përderisa ai është kryetar partie, s’duhet të ketë kandidat tjetër për kryeministër.
Abdixhiku bëri me dije se ka hequr dorë nga e drejta për të bërë renditjen e listës së kësaj partie, saktësisht kandidatëve për deputetë.
“Hoqa dorë nga e drejta ime për ta bërë renditjen e listës…LDK garon e vetme në këtë garë, por brenda listës do të zhvillojë diskutime me akterë, parti që mund të jenë pjesë e listës”, tha Abdixhiku.
Ai tha se një pjesë e listës së kësaj partie për zgjedhjet e 28 dhjetorit mbetet e hapur, përfshirë edhe për Nismën e Fatmir Limajt.
“LDK do të kujdeset që një pjesë të listës së vetë, ta hapë për partitë e tjera, përfshirë edhe z. Limaj me deputetët e vetë. Për këtë çështje do të diskutojmë ditëve në vijim, por le të themi se kemi gatishmëri”, deklaroi ai.
“Jemi të hapur edhe për partitë, edhe për individë”, deklaroi Abdixhiku.
Abdixhiku ka qenë kandidat për kryeministër edhe në zgjedhjet e 9 shkurtit. Kjo parti dola e treta në nivel vendi.



