LDK formon 6 departamente, këto janë të gjitha vendimet e mbledhjes së Kryesisë

19 prill 2021 | 19:35

Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e Kryesisë, në të cilën me shumicë votash u morën disa vendime në lidhje me organizimin e brendshëm të saj.

“1. Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës, në përputhje me platformën për reforma dhe riorganizim, të paraqitur nga kryetari dhe të miratuar nga Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së, mori vendim që të krijojë ekipet të cilat do ta bëjnë vlerësimin e gjendjes aktuale në Degët e LDK-së. Këto ekipe do të propozojnë mënyrat që do të ndiqen në procesin e reformimit të thellë të Degëve. Procesi i reformimit synon të riorgnizojë Degët dhe t’i hapë ato ndaj individëve me kredibilitet dhe të rinjve që besojnë në vlerat tona të përbashkëta. Po ashtu, ekipet e Kryesisë do të ndihmojnë Degët në përgatitjet për zgjedhjet lokale”.

“2. U aprovua propozimi i kryetarit për strukturën e re organizative: Riorganizohet Zyra për medie dhe Qendra për Informim e Kosovës – QIK. Në kuadër të Fondacionit “Ibrahim Rugova” themelohet Shkolla Politike”.

“3. Kryesia e Lidhjes Demokratike, aprovoi formimin e gjashtë Departamenteve si në vijim: Departamenti i Politikës së Jashtme;
Departamenti i Rendit, Ligjit dhe Sigurisë;
Departamenti i Ekonomisë dhe Biznesit;
Departamenti i Arsimit, Kulturës dhe Sportit;
Departamenti i Shëndetësisë; Departamenti i Rinisë; dhe Departamenti i Avancimit Shoqëror”, ka njoftuar LDK-ja.

Në këtë njoftim theksohet se këto departamente do të përgatisin dhe hartojnë qëndrimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, si dhe alternativën opozitare ndaj pushtetit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, duke folur për ikjen e…