LDK i reagon VV-së: E krijuan krizën, e bllokuan tri herë, tani po shpallen shpëtimtarë – paturpësi e pastër politike
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka theksuar se Lëvizja Vetëvendosje është duke bërë fushatë të mashtrimit politik, që sipas këtij subjekti politik, sot po përpiqet t’i shpëtojë përgjegjësisë duke trilluar merita për një proces që vetë e ka bllokuar tri herë radhazi.
Në një reagim LDK-ja ka theksuar se VV-ja ka punuar kundër qytetarëve duke bllokuar ecjen përpara të buxhetit për kryeqytetin.
“Dokumentet flasin qartë: më 21.05.2025, 12.06.2025 dhe 27.06.2025, bartja e të hyrave vetanake ka dështuar sepse asamblistët e Vetëvendosjes votuan kundër, duke paralizuar pagesat për shërbimet esenciale dhe duke dëmtuar funksionimin e kryeqytetit”.
“Tani, pas muajsh bllokadash të qëllimshme, Vetëvendosja del e pretendon se paska “zhbllokuar” vetveten. Ky është modeli i tyre politik: krijo krizë, godit qytetin, pastaj dil në podium e shpall veten hero. Një paturpësi e pastër politike”, thuhet në reagimin e LDK-së.
Tutje, kjo parti thekson se anëtarët e LVV-së janë pengmarrësit e kryeqytetit.
“LDK ka mbrojtur stabilitetin financiar të Prishtinës në çdo seancë, ndërsa VV ka punuar sistematikisht kundër interesit të qytetit për t’i shërbyer interesave të veta partiake. Nuk ka asnjë fakt, asnjë votë dhe asnjë procesverbal që e mbështet narrativën e tyre, përkundrazi çdo dokument dëshmon bllokimin e tyre të hapur”.
“Qytetarët e Prishtinës duhet ta dinë: ata që sot po dalin me fjalë të mëdha kanë qenë pengmarrësit e kryeqytetit. Ata që shkaktuan vonesa e rreziqe financiare tani mundohen të fshihen pas pështjellimit propagandistik”, deklaron LDK-ja.
Në fund, LDK-ja pohoi se do të vazhdojë të mbrojë interesin e qytetit me vendosmëri dhe integritet, “dhe nuk do të lejojë që Prishtina të bjerë pre e taktikave të rrezikshme të Lëvizjes Vetëvendosje”.



