LDK-ja dhe PDK-ja në heshtje, zgjedhja e kryesuesit në Prishtinë e paparashikueshme

04 janar 2022 | 19:23

Partia fituese në zgjedhjet lokale në Prishtinë, Lidhja Demokratike e Kosovës, ende nuk ka arritur marrëveshje për koalicion më ndonjërën nga partitë e tjera.

Përkundër raportimeve për marrëveshje me PDK-në dhe AAK-në, një gjë e tillë nuk është konfirmuar nga asnjëra parti.

As PDK-ja dhe as LDK-ja nuk kanë dhënë komente për këtë çështje, përkundër që më 6 janar është afati i fundit për zgjedhjen e kryesuesit të Kuvendit Komunal, në të kundërtën asambleja mund të shkojë në zgjedhje.

Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, ka thënë për Demokracia.com se nuk e di nëse është arritur ndonjë marrëveshje me PDK-në apo AAK-në.

“Nuk e di, flisni me kryetarin”, ka thënë shkurt Gashi për Demokracia.com.

Ndërsa, gjatë ditës së sotme, ish-kandidati për kryetar të Prishtinës nga radhët e AAK-së, Daut Haradinaj, ka bërë të ditur për Demokracia.com se nuk ka marrë ndonjë ofertë nga LDK-ja për koalicion.

Ai ka thënë se do ta shqyrtojnë nëse marrin një ofertë të tillë, duke lënë të hapur mundësinë për koalicion me këtë parti.

“Deri tani nuk kemi pas asnjë ofertë të tillë nga Lidhja Demokratike e Kosovës, nëse do të ketë ndonjë ofertë sigurisht që do ta shqyrtojmë. Ne në orën 17:00 kemi një takim me degën e AAK-së, ende nuk kemi asnjë vendim të ri”, ka thënë Haradinaj për Demokracia.com.

Ndërkohë, Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, e ka thirrur seancën për zgjedhjen e kryesuesit të Kuvendit Komunal për të mërkurën më 5 janar. Afati i fundit për zgjedhjen e kryesuesit është 6 janari.

Kujtojmë se Lëvizja Vetëvendosje ka arritur të marrë 17 asamblistë në Prishtinë, LDK-ja 14, PDK-ja 9, AAK-ja 6, AKR-ja 3, LB-ja dhe Nisma nga një asamblistë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Punëve të Jashtme të Kroacisë, Gordan Grliq Radman…