LDK-ja e dorëzon në Prokurorinë Speciale vendimin e Gjykatës Supreme

16 korrik 2025 | 12:18

Deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Alban Zogaj dhe Besian Mustafa, kanë dorëzuar të mërkurën në Prokurorinë Speciale vendimin e Gjykatës Supreme lidhur me çështjen e arkave fiskale. Sipas tyre, ky veprim është një hap drejt kërkimit të përgjegjësisë institucionale për dështimet dhe shkeljet e mundshme në këtë proces.

Mustafa ka thënë se vendimi i Supremes konfirmon që kryeministri në detyrë dhe disa ministra kanë vepruar jashtëligjshëm pasi janë certifikuar si deputetë më 27 mars.

“Dje Gjykata Supreme ka nxjerr një aktgjykim ku konfirmon atë që ka thënë LDK-ja tash e disa muaj. Këtë aktgjykim e kemi bashkangjitur në dosjen tonë, ku kemi dorëzuar në muajin maj 17 kallëzime penale për ish- kryeministrin Kurti dhe ministrat e kabinetit të tij, ku në mars janë certifikuar si deputetë të Kuvendit. Aktgjykimi i djeshëm e ka konfirmuar të njëjtën gjë, ku një deputet i certifikuar nuk mund njëkohësisht të ushtrojë detyrën në ekzekutiv dhe të jetë kryeministër në detyrë. Nga 27 marsi deri më sot kanë zaptuar qeverinë, kryeministrinë dhe vazhdojnë të qëndrojnë në mënyrë të jashtëligjshme dhe jashtë- kushtetuese si kryeministër në detyrë, ku në fakt janë deputetë të certifikuar si gjithë 120 deputetët e tjerë në Kuvendin e Kosovës. Kjo i bie që nga 27 marsi mund secili deputet të shkojë në ministri dhe të ulet në kolltukun e ministrit dhe të nxjerrë vendime dhe të shfrytëzojë buxhetin e shtetit në mënyrë të jashtëligjshme. Secili veprimi i tyre në qeveri dhe ministri është jokushtetues dhe joligjore. Këtë e ka vërtetuar qartazi dje Gjykata Supreme”, ka thënë Mustafa.

Ndërsa deputeti tjetër i LDK-së, Alban Zogaj, ka thënë se çdo vendim qeveritar pas certifikimit të zgjedhjeve është i paligjshëm, duke kërkuar që Prokuroria Speciale të veprojë dhe të marrë masa.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zëvendëskryeministri kinez, He Lifeng, paralajmëroi të mërkurën kundër politikave tregtare…