LDK-ja e Vetëvendosja të reflektojnë, të bëhen pjesë e dialogut

20 dhjetor 2018 | 15:22

Ministri i Infrastrukturës, njëherësh nënkryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Pal Lekaj, ka ftuar dy subjektet më të mëdha opozitare, Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Lëvizjen Vetëvendosje (LV), që të heqin dorë nga interesat e ngushta dhe të bëhen pjesë e delegacionit të Kosovës për dialog.

Ai ka thënë se në fazën finale të dialogut me Serbinë është në pyetje interesi kombëtar i Kosovës dhe në këtë mënyrë spektri politik duhet të paraqitet unik.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Lekaj ka thënë se unifikimi i skenës politike rreth kësaj çështje është shumë me rëndësi për Kosovën. “Në këtë mënyrë Kosova do të ishte e bashkuar në këtë delegacion i cili do të këtë mandat të bisedojë me Serbinë për fazën finale të dialogut. Kjo do të ndihmonte që Kosova të kishte një qëndrim unik në këtë proces dhe të dilte fitimtare. Unë i bëj ftesë opozitës të reflektojë dhe të fillojë të mendoj ndryshe dhe të largohet nga ato botëkuptimet dhe interesat elektorale”, ka thënë Lekaj.

Nënkryetari i AAK-së është shprehur i befasuar me qëndrimin e LDK-së ndaj kësaj çështje. Sipas Lekajt, qëndrimi i këtij subjekti politik ndaj dialogut është mburravec. “Besoni se çuditem me qëndrimin e LDK-së. Kur ky subjekt vazhdimisht thirret se është subjekt institucionalist dhe se punon për të mirën e vendit, ndërsa tani kur në fazën finale të dialogut duhet të jemi të bashkuar, disi tërhiqet. Mendoj se është qëndrim mburravec i kësaj partie, i cili nuk i kontribuon formimit të shtetit të Kosovës”, është shprehur Lekaj.

Ai ka hedhur poshtë kritikat se delegacioni aktual nuk ka legjitimitet të mjaftueshëm. “Delegacioni i Kosovës mendoj se ka legjitimitet të plotë, sepse shumica e deputetëve në Kuvend kanë votuar pro këtij delegacioni shtetëror. Pavarësisht prej mendimeve të ndryshme të opozitës, mendoj se në këtë drejtim nuk ka vend për kritika, sepse edhe ata janë të vetëdijshëm se, nëse kërkohet një rezolutë, të miratohet ajo miratohet me shumicën e thjeshtë të votave në Kuvend”, ka thënë Lekaj.

“Epoka e re”: Z. Lekaj, Kuvendi i Kosovës me votat e koalicionit qeverisës dhe të PSD-së ka miratuar javën e kaluar rezolutën për dialogun dhe delegacionin negociues. Por ky i fundit po kritikohet për moslegjitimitet të plotë?
Lekaj: Delegacioni i Kosovës mendoj se ka legjitimitet të plotë sepse shumica e deputetëve në Kuvend kanë votuar pro këtij delegacioni shtetëror. Pavarësisht prej mendimeve të ndryshme të opozitës, mendoj se në këtë drejtim nuk ka vend për kritika, sepse edhe ata janë të vetëdijshëm se nëse kërkohet një rezolutë që të miratohet ajo miratohet me shumicën e thjeshtë të votave në Kuvend. Në këtë mënyrë grupi negociator i ka marrë 61 vota dhe askush nuk mund ta kontestojë legjitimiteti e tij. Prandaj, mendoj se ky delegacion është legjitim dhe kritikat nga opozita nuk kanë vend.

 “Epoka e re”: Kritikat kanë të bëjnë më shumë me mospërfshirjen e dy subjekteve më të mëdha opozitare?
Lekaj: Më mirë do të ishte që opozita të bëhet pjesë e këtij delegacioni negociator dhe t’i lë anash interesat partiake. Në këtë mënyrë Kosova do të ishte e bashkuar në këtë delegacion i cili do të ketë mandat të bisedojë me Serbinë për fazën finale të dialogut. Kjo do të ndihmonte që Kosova të kishte një qëndrim unik në këtë proces dhe të dilte fitimtare. Unë i bëj ftesë opozitës që të reflektojë dhe të fillojë të mendojë ndryshe dhe të largohet nga ato botëkuptimet dhe interesat elektorale. Tani është në pyetje marrëveshja me Serbinë dhe nga ky proces Kosova do të dalë si shtet i pavarur dhe me territor që ia përcakton Kushtetuta dhe si shtet i njohur nga Serbia.

 “Epoka e re”: LDK-ja e cila vazhdimisht e ka përkrahur procesin e dialogut tani po e kundërshton. Pse mendoni se po vepron në këtë mënyrë?
Lekaj: Besoni se çuditem me qëndrimin e LDK-së. Kur ky subjekt vazhdimisht thirret se është subjekt institucionalist dhe se punon për të mirën e vendit, ndërsa tani kur në fazën finale të dialogut duhet të jemi të bashkuar, disi tërhiqet. Mendoj se është qëndrim mburravec i kësaj partie, i cili nuk i kontribuon formimit të shtetit të Kosovës.

“Epoka e re”: Tani kemi letrën e presidentit Tump e cila e nxit spektrin politik që të jetë unik për marrëveshjen historike me Serbinë. Cila duhet të jetë përgjigjja e skenës politike ndaj këtij mesazhi të presidentit amerikan?
Lekaj: Jo vetëm për spektrin politik, por për të gjithë qytetarët e Kosovës kjo letër është një mesazh i mirë se Amerika qëndron në anën e Kosovës dhe punon për ta forcuar shtetin e Kosovës. Kështu që, duhet përshëndetur letra e presidentit Trump drejtuar presidentit të Kosovës. Përsëri shteti amerikan po tregon angazhimin e tij të madh që ka për Kosovën. Kjo tregon se edhe në këtë fazë të dialogut shteti amerikan dëshiron që Kosova të dalë si shtet i fuqishëm dhe stabil.

 “Epoka e re”: Pas vendimit të Qeverisë për taksën 100 për qind ndaj mallrave serbe dhe vendimit për formimin e ushtrisë kemi parë një përplasje të Qeverisë me BE-në. Mund t’i konsiderojmë si të acaruara raportet Kosovë – BE?
Lekaj: Qëndrimi i kryeministri të Kosovës dhe Qeverisë karshi BE-së është i drejtë dhe legjitim. Këto janë qëndrime të një shteti sovran dhe nuk shoh se ka ndonjë acarim të raporteve. Nëse t’i merr qëndrime sovrane dhe vendime që shkojnë në favor të qytetarëve dhe zhvillimit ekonomik të shtetit tënd, atëherë ai vendim është i drejtë. Pastaj veprimet tona kanë ardhur si kundërpërgjigje ndaj palës serbe, e cila për vite me radhë nuk i ka respektuar marrëveshjet që i ka nënshkruar me Kosovën. Pra, ky nuk është acarim, por një vendim sovran i republikës dhe kështu duhet të vazhdohet. Për herë të parë një Qeveri legjitime e shtetit të Kosovës po tregon vendosmëri dhe guxim që edhe karshi BE-së ta thotë të vërtetën në mënyrë të qartë.

 “Epoka e re”: Këto veprime të Qeverisë a mund të sjellin ndonjë pasojë për Kosovën?
Lekaj: Nuk mendoj se do të ketë pasoja, sepse për ne udhërrëfyesi i demokracisë ka qenë dhe është Evropa. Në këtë drejtim besoj se do të kemi mbështetje. Po e përsëris me plot kuptimin e fjalës se Kosova ka vetëm një drejtim dhe një biletë, ajo është BE-ja. Ne nuk kemi alternativë tjetër, mirëpo edhe BE-ja duhet të tregohet serioze karshi Kosovës dhe të mos ta prekë mendësinë e qytetarëve që ata të fillojnë të mendojnë ndryshe. Atëherë ku preket mendësia e qytetarëve, mendoj se gjithçka ka përfunduar. Çdokush duhet ta dijë se qytetarët tanë dhe shteti i Kosovës janë populli dhe shteti më pro perëndimor në botë.

Muhamet KOCI

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, ka mbajtur takimin…