
LDK-ja ende s’i ka emrat e ministrave, por vetëm planin qeverisës
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arban Abrashi, para mbledhjes në të cilën mandatari për kryeministër Abdullah Hoti do ta paraqes programin qeverisës në grupin parlamentar të partisë së tij, ka thënë se janë përpjekur që të gjitha planet të hartohen në kohë rekorde.
Në këtë kontekst, Abrashi ka thënë se nuk i kanë diskutuar ende emrat e ministrave nga LDK-ja, por vetëm për planin qeverisës.
Më tutje, Abrashi ka thënë se ky takim nuk ka të bëjë me kurrfarë presioni ndaj Gjykatës Kushtetuese.
“Unë mendoj se kjo nuk është një presion dhe nuk ka të bëjë me vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Ne thjeshtë po përpiqemi që mos të humbim kohë, sepse çdo ditë e humbur pa qeverisje ose me qeveri në largim është dëm i madh ekonomik, dhe atë po e shohim çdo ditë”, ka thënë Abrashi, duke shtuar se është me rëndësi që të gjitha subjektet politike t’i respektojnë vendimet e Gjykatës Kushtetuese.