LDK-ja heq dorë nga të gjitha kërkesat, voton formimin institucioneve të drejtuara vetëm nga LV-ja

26 dhjetor 2019 | 12:54

Pas mbledhjes së kryesisë së partisë, ka folur para medieve kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa.

“Patëm mbledhjen e Kryesisë për të trajtuar përgatitjet për konstituimin e Kuvendit, mbesim të interesuar e të përkushtuar që vendit t’i japim zgjidhje në këto momente dhe të vazhdojmë të ofrojmë zgjidhje. Jemi pajtuar që kryeministri dhe një zëvendëskryeministër t’i takojë LV-së dhe në asnjë rast nuk e kemi shtruar çështjen e kryeministrit sepse jemi pajtuar, ndërkaq zëvendëskryeministri i parë dhe kryeparlamentari t’i takojë LDK-së. Duam që ministritë t’i kemi, 5 për LDK-në dhe 5 për LV-në, nga një nënkryetar i Kuvendit sipas kushtetutës i takojë secilit nga grupet. LDK-ja propozon kandidatin për president që plotëson të gjitha kushtet dhe ne mbesim pas asaj që pas zgjedhjes së presidentit, LV-së t’i jepet një ministri nga LDK-ja dhe me këtë proporcioni në Qeveri do të mbetej 6:4, nga momenti që zgjedhet presidenti”, ka thënë kryetari i LDK-së.

“Ne kemi llogaritur se në të gjitha këto variante. LV-ja do të ketë më shumë pozita. Ajo do të ketë 7 pozita qeveritare si dhe dy nënkryetarët e Kuvendit. Ndërkaq, kur do ta bënim ne pozitën për president ne do të kishim më pak”, ka deklaruar Mustafa.

Ai ka thënë se nëse LV-ja nuk është gati për marrëveshje me LDK-në, atëherë partia që drejton është e gatshme të heq dorë nga të gjitha kërkesat për përgjegjësi institucionale duke ia lënë partisë së Albin Kurtit të gjitha pozitat në Qeveri dhe Kuvend.

Mustafa ka bërë me dije se 28 deputetët e LDK-së do të votojnë kryetarin e Kuvendit dhe kryeministrin nga radhët e LV-së pa asnjë kusht.

“Nëse LV-ja nuk është gati për këtë marrëveshje dhe e sheh LDK-në si pengesë atëherë unë po deklarojë sot se me pëlqimin e Kryesisë së LDK-së është e gatshme të heq dorë nga të gjitha kërkesat për përgjegjësi institucionale dhe nga të gjitha pozitat, duke ia lënë këto LV-së. LDK-ja shpreh gatishmëri që me 28 deputetët e saj të votojë formimin institucioneve të reja, të drejtuara nga LV. Shprehim po ashtu gatishmëri që të votojmë kandidatin e LV-së për kryetar të Kuvendit si dhe Qeverinë e LV-së pa LDK-në”, ka thënë Mustafa.

“LDK-ja do të votojë pa asnjë kusht formimin e institucioneve të reja të drejtuar nga Vetëvendosja”, ka thënë ai.

/Epoka e re/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Leicester City i hapi shumë punë Liverpoolit në “Anfield” një…