LDK-ja kërkon mobilizim të strukturave për zgjedhje të reja

21 tetor 2018 | 19:12

Anëtarët e Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) të dielën janë pritur në takim nga strukturat e Degës së V në Prishtinë.

 Me këtë rast sekretari i përgjithshëm i LDK-së, Ismet Beqiri, ka thënë se kjo formë e takimit me struktura po shërben që të njoftohen forumet e partisë me qëndrimet e fundit të LDK-së për dialogun, kufijtë e Kosovës, dhe për votimin e Forcave të Armatosura të Kosovës.

 Beqiri ka kërkuar që të gjithë të organizohen sepse sipas tij bazuar në mundësitë që LDK-ja po i kërkon në koordinim edhe me partitë e tjera për ngritjen e mocionit të votëbesimit të Qeverisë, vendi shumë shpejtë do të shkojë në zgjedhje të reja.

 Ai ka thënë se LDK-ja duke e parë bllokimin e vendit nga kjo Qeveri dhe brishtësinë e koalicionit qeverisës mendon se zgjidhja e vetme janë zgjedhjet. Beqiri ka kërkuar mobilizimin e të gjitha strukturave të degës për t’u përgatitur për zgjedhjet qendrore të cilat sipas tij, janë të pashmangshme.

 Ndërkohë anëtari i Kryesisë së LDK-së, Sokol Haliti, ka folur për mbledhjet e vazhdueshme të kryesisë së kësaj partie, për unitetin dhe disponimin e mirë brenda të gjitha strukturave dhe organeve të partisë.

 Ai ka kërkuar nga të gjithë aktivistët që të angazhohen që LDK-ja të forcohet sidomos në Prishtinë sepse sipas Halitit, baza e fitores  së LDK-së në nivel vendi është Prishtina.  

 Po ashtu edhe anëtari i Kryesisë, Muharrem Sfarqa, ka thënë se duhet mobilizim në mënyrë që LDK-ja të jetë gati për zgjedhjet, të cilat sipas tij janë të pashmangshme pasi që Qeveria është shndërruar në mekanizëm për plotësimin e tekeve të individëve dhe grupeve të interesave biznesore.

 Edhe anëtarja e Kryesisë së LDK-së, Vlora Dumoshi, ka theksuar se ky bashkëbisedim duhet të shërbejë për një organizim më të mirë që LDK-ja të konfirmohet në çdo proces si parti e fortë dhe e pathyeshme ndaj konkurrentëve tjerë politik.

 Kurse kryetarja e Forumit të Gruas së LDK-së, Lirije Kajtazi, ka folur për mundësitë e trajnimeve për gratë e forumit me ndihmën e Fondacionin KAS.

/Epoka e re/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkëndija e Tetovës fitoi një përballje të vështirë ndaj Vardarit…