
LDK-ja: Kushtetuesja vërtetoi se LV-ja tentoi ta bllokojë funksionimin e institucioneve, seanca të vazhdojë menjëherë
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e ka mirëpritur aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, duke theksuar se kjo parti ka “konstatuar antikushtetutshmërinë e përpjekjeve për të imponuar procedura të votimit të fshehtë gjatë seancës konstituive të Kuvendit”.
LDK-ja ka thënë se aktgjykimi vërteton se veprimet e kryesuesit të seancës konstituive përbënin shkelje flagrante të Kushtetutës dhe ishin “tentim për të bllokuar funksionimin e institucioneve”.
“Me këtë aktgjykim, Gjykata riafirmoi se kryesuesi i seancës konstituive nuk mund të veprojë jashtë përcaktimeve të qarta kushtetuese dhe nuk mund të shpikë procedura që minojnë rendin demokratik dhe ligjshmërinë. Gjykata sqaroi sërish se zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit duhet të zhvillohet rreptësishtë sipas Kushtetutës dhe Rregullores së Punës – përmes votimit të hapur, deri në tre herë përpjekje për një kandidat, dhe brenda afatit kushtetues 30 ditor”.
“Ky vendim paraqet një fitore të madhe për demokracinë, ligjshmërinë dhe integritetin e institucioneve tona. Ai vërteton qëndrimin e LDK-së, e cila që nga fillimi ka insistuar se veprimet e Kryesuesit të Kuvendit dhe Lëvizjes Vetëvendosje! përbënin shkelje flagrante të Kushtetutës dhe tentim për të bllokuar funksionimin e institucioneve”, është thënë në reagimin e LDK-së.
Më tutje, LDK-ja u ka bërë thirrje të gjitha forcave politike që ta respektojnë në tërësi këtë aktgjykim. “Kuvendi duhet të vazhdojë menjëherë, në përputhje me Kushtetutën, me zgjedhjen e udhëheqjes së tij përmes votimit të hapur. Çdo pengesë e mëtejshme do të ishte jo vetëm antikushtetuese, por edhe akt i papërgjegjshëm ndaj qytetarëve dhe vullnetit të tyre demokratik. LDK-ja do të mbetet e vendosur në rolin e saj si mbrojtëse e ligjshmërisë, demokracisë dhe vlerave euro-atlantike. Republika e Kosovës meriton institucione të forta, të lindura nga Kushtetuta dhe që i shërbejnë vetëm qytetarëve”, është thënë në reagimin e LDK-së.