
LDK-ja në proces të finalizimit të listës së kandidatëve për deputetë
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ende nuk e ka finalizuar listën me kandidatët që do të garojnë për postin e deputetit në legjislaturën e ardhshme të Kuvendit të Kosovës.
Zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa ka thënë se finalizimi i listës është në proces e sipër.
“Degët e LDK-së i kanë dërguar propozimet te kryetari e kryesia, tash mbetet që kryetari dhe bartësi i listës të finalizojnë listën e kandidatëve për deputetë”, ka thënë Mustafa.
Ai ka folur edhe edhe për çështjen e përfshirjes së AKR-së në këtë listë, duke thënë se ende nuk është finalizuar kjo çështje.
“Në momentin që kjo do të ndodh, kandidatët e AKR-së për deputetë do të jenë të përfshirë në listën e LDK-së”, ka thënë Mustafa për “Telegrafin”.
Ndryshe, të shtunën përfundon afati për aplikim të subjekteve politike për t’u certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhje në KQZ.
Kujtojmë se zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të mbahen më 14 shkurt 2021.