LDK-ja në zgjedhje do ta dëshmojë të kundërtën e sondazheve të propagandës

13 janar 2021 | 11:21

Anëtari i kryesisë i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Florian Dushi, ka bërë me dije se kjo parti është e gatshme për zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të mbahen më 14 shkurt. Ai ka deklaruar se strukturat e LDK-së janë tërësisht aktive dhe thellësisht të mobilizuara për këto zgjedhje.

Në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, Dushi ka deklaruar se më 14 shkurt LDK-ja do ta dëshmojë të kundërtën e propagandës së grupit të partive të majta në Kosovë. “Sido që të jetë, ne tashmë jemi këtu ku jemi, fare në prag të zgjedhjeve të cilat do të mbahen më 14 shkurt, dhe nga ajo çfarë ne shohim nga takimet tona të përditshme, strukturat e LDK-së janë tërësisht aktive, madje thellësisht të mobilizuara për t’ua dëshmuar të kundërtën propagandës së grupit të partive të majta në Kosovë dhe kompanive fiktive të sondazheve të cilat paralajmërojnë ‘përmbysje’ elektorale në vendin tonë pa asnjë bazë”, ka thënë Dushi

Ai ka thënë se LDK-ja nuk shquhet si parti e cila porositë e publikon sondazhe në asnjë fazë.

Sipas Dushit, kjo parti matjet më të mira dhe më të sakta i bën në komunikim të drejtpërdrejtë me qytetarët e vendit. “Këtë lloj komunikimi, LDK e ka të zhvilluar që nga koha kur ky subjekt ka vepruar si lëvizje nacionale për liri dhe pavarësi, prandaj as që jemi të interesuar që këtë praktikë ta zëvendësojmë me sondazhe të porositura e të paguara përmes publikimit të të cilave pastaj do të, siç thotë populli, shpërndanim mjegull në kohë fushate, duke provuar kështu që mendimin dhe përcaktimin e lirë të qytetarëve tanë në zgjedhjet e ardhshme t’i ‘mbytim’ me propagandë e sondazhe kot”, ka thënë Dushi.

Zyrtari i LDK-së ka folur edhe për ndikimin që mund të ketë në këto zgjedhje largimi i ish-kandidates së LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmani. “Do ta shohim nëse ajo vërtet është e interesuar të ndërtojë një alternativë të mirëfilltë përballë LDK-së, apo nëse synimi i saj është vetëm ta dëmtojë LDK-në duke i siguruar një favor elektoral partnerit të saj politik, LV-së dhe Albin Kurtit. Personalisht mendoj, nga ajo çfarë po shohim dhe dëgjojmë në strukturat tona organizative dhe anëtarësia e gjerë, se dëmin më të madh do ta pësojë vetë znj. Osmani e cila në mënyrë të paprecedentë i ka kthyer shpinën gjithë asaj mbështetjeje që kishte”, ka deklaruar Dushi.

 “Epoka e re”: Z. Dushi, zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të mbahen më 14 shkurt. Sa është e gatshme LDK-ja për këto zgjedhje?
Dushi: Në fakt, Lidhja Demokratike e Kosovës, si parti me traditë dhe e organizuar mirë në të gjitha nivelet e saj, gjithmonë është e gatshme për zgjedhje. Aq më tepër kur kemi parasysh faktin se ne edhe ashtu e kishim të njohur se viti 2021 është vit i zgjedhjeve, zgjedhjeve lokale, por shtrohet pyetja sa janë të gatshme institucionet e vendit dhe qytetarët e Kosovës që menjëherë pas një viti nga zgjedhjet e fundit, të organizojnë dhe të marrin pjesë edhe në një palë zgjedhje të tjera të jashtëzakonshme, të cilat përfundimisht vendin tonë, në këtë kohë ballafaqimi me probleme të shumta e të ndryshme po e fusin, shtesë, edhe në një jostabilitet tjetër politik, çka edhe do ta ketë koston e vet shumë të lartë. Sido që të jetë, ne tashmë jemi këtu ku jemi, fare në prag të zgjedhjeve të cilat do të mbahen më 14 shkurt, dhe nga ajo çfarë ne shohim nga takimet tona të përditshme, strukturat e LDK-së janë tërësisht aktive, madje thellësisht të mobilizuara për t’ua dëshmuar të kundërtën propagandës së grupit të partive të majta në Kosovë dhe kompanive fiktive të sondazheve të cilat paralajmërojnë “përmbysje” elektorale në vendin tonë pa asnjë bazë.

 “Epoka e re”: Nga LDK-ja është larguar Vjosa Osmani, e cila në zgjedhjet e kaluar ka qenë kandidate e LDK-së për kryeministre. Sa mund ta dëmtojë kjo këtë parti në elektorat?
Dushi: Kjo varet nga këndvështrimi i secilit në këtë fazë, sikur edhe nga vetë qëllimi i znj. Osmani dhe eventualisht partnerëve të saj politikë. Do ta shohim nëse ajo vërtet është e interesuar që të ndërtojë një alternativë të mirëfilltë përballë LDK-së, apo nëse synimi i saj është vetëm ta dëmtojë LDK-në duke i siguruar një favor elektoral partnerit të saj politik, LV-së dhe Albin Kurtit. Personalisht mendoj, nga ajo çfarë po shohim dhe dëgjojmë në strukturat tona organizative dhe anëtarësia e gjerë, se dëmin më të madh do ta pësojë vetë znj. Osmani e cila në mënyrë të paprecedentë i ka kthyer shpinën gjithë asaj mbështetjeje që kishte në kryesinë qendrore, Këshillin e Përgjithshëm dhe në degët e LDK-së anekënd Kosovës, për arsye të cilat ajo ndoshta i di e ne nuk po mund t’i kuptojmë dot.

 “Epoka e re”: Disa sondazhe që janë publikuar nuk e nxjerrin mirë LDK-në. Si parti keni bërë ndonjë sondazh të brendshëm që tregon rezultat tjetër?
Dushi: Në radhë të parë, LDK-ja nuk shquhet si parti e cila porositë e publikon sondazhe në asnjë fazë. Nisur edhe nga metodologjia e punës sonë, por edhe nga organizimi i LDK-së, matjet më të mira dhe më të sakta ne i bëjmë në komunikim të drejtpërdrejtë me qytetarët e vendit. Këtë lloj komunikimi, LDK-ja e ka të zhvilluar që nga koha kur ky subjekt ka vepruar si lëvizje nacionale për liri dhe pavarësi, prandaj as që jemi të interesuar që këtë praktikë ta zëvendësojmë me sondazhe të porositura e të paguara përmes publikimit të të cilave pastaj do të, siç thotë populli, shpërndanim mjegull në kohë fushate, duke provuar kështu që mendimin dhe përcaktimin e lirë të qytetarëve tanë në zgjedhjet e ardhshme t’i “mbytim” me propagandë e sondazhe kot.

“Epoka e re”: Cila do të jetë oferta e LDK-së në këto zgjedhje?
Dushi: Ju e dini që LDK-ja edhe aktualisht është duke qeverisur vendin, dhe kjo ka ardhur si rezultat i ikjes nga përgjegjësia e qeverisjes së vendit në një kohë shumë të rëndë, nga ana e LV-së, përmes prishjes së raporteve me partnerët tanë ndërkombëtarë dhe improvizimit të një problemi (përmes shkarkimit) të ministrit të MPB-së. Prandaj vendimi i Gjykatës Kushtetuese, edhe pse i diskutueshëm në aspektin profesional dhe i paqëndrueshëm në kuptimin e praktikave të cilat i gjejmë te vendet me sistem qeverisës të njëjtë me vendin tonë, në njëfarë formë ka lënë në gjysmë gjithë punën e qeverisë e cila udhëhiqej nga LDK-ja me kryeministrin Avdullah Hoti. Prandaj, konsideroj se ne do të vazhdojmë tutje që vendit t’i ofrojmë:  stabilitet të brendshëm politik, duke mos qenë vetë qeveria ajo që krijon kriza politike duke ndjekur një qasje vazhdimisht konfliktuoze; zhvillim ekonomik, duke provuar që në radhë të parë të marrë masa për sanimin e dëmeve të shkaktuara në ekonomi, veçanërisht në sektorin privat si pasojë e pandemisë Covid; sundim të ligjit dhe zero tolerancë ndaj korrupsionit, duke ofruar shembullin më konkret se si qeveriset pa asnjë aferë korruptive dhe duke e mbështetur sektorin e sundimit të ligjit, njëkohësisht edhe duke kërkuar llogari, por jo duke i kërcënuar të njëjtët dhe, përfundimisht, duke i ruajtur dhe ngritur në një nivel më të mirë raportet me miqtë tanë ndërkombëtarë, historikisht mbështetës të Kosovës si dhe duke u angazhuar për përshpejtimin e përmbushjes së atyre pak kritereve që na duhen për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

“Epoka e re”: Jeni në bisedime me ndonjë parti të vogël për koalicion parazgjedhor, apo do të shkoni të vetëm në zgjedhjet e 14 shkurtit?
Dushi: Bisedimet po vazhdojnë për formatin e bashkëpunimit me disa parti të vogla me të cilat kemi orientime politike të ngjashme. Mendoj se më shumë do të kemi përfshirje në listën zgjedhore të LDK-së sesa ndonjë koalicion klasik parazgjedhor sepse LDK-ja është e interesuar që në këto zgjedhje, jashtë kombinimeve atipike që mund t’i gjejmë te subjektet e tjera politike, të marrë pjesë e vetme, me kandidatët e saj, të dëshmuar si ndër më të përgatiturit dhe me program të saj e të qartë qeverisës.

Muhamet KOCI

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë amerikane të martën u dërgoi…