
LDK-ja reagon ashpër ndaj koalicionit të Xhafer Tahirit me LV-në në Vushtrri: Veprim individual, pa vlerë dhe i papranueshëm
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka reaguar ashpër pas vendimit të kandidatit të saj për kryetar të Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, për të bërë koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje në balotazhin e 9 nëntorit, duke e cilësuar këtë veprim si individual, të paautorizuar dhe në kundërshtim me procedurat statutare të partisë.
LDK-ja ka sqaruar se nuk ka dhënë dhe nuk do të japë autorizim për ndonjë koalicion lokal pa ndjekur procedurat e saj të brendshme.
“Veprimet e kandidatit tonë në Vushtrri për të lidhur koalicion me një parti tjetër, janë veprime individuale, të papranueshme dhe në kundërshtim me procedurat statutare të Lidhjes Demokratike të Kosovës”, është thënë në reagimin e LDK-së.
Reagimi i plotë i LDK-së:
Lidhja Demokratike e Kosovës njofton anëtarësinë e vet dhe publikun e gjërë se nuk ka autorizuar dhe nuk autorizon asnjë koalicion lokal pa ndjekur procedurat statutare të partisë.
Veprimet e kandidatit tonë në Vushtrri për të lidhur koalicion me një parti tjetër, janë veprime individuale, të papranueshme dhe në kundërshtim me procedurat statutare të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
LDK-ja pret që fillimisht të analizohet performanca e kandidatit dhe e Degës së Vushtrrisë, dhe pas këtyre hapave të marrë vendimet përkatëse.
Veprimet e tjera, sikurse ky i sotmi, janë pa ndonjë vlerë dhe në kundërshtim me praktikën demokratike të LDK-së.
Si të tilla, ato do të marrin trajtim procedural sipas Statutit pas përfundimit të garës lokale. LDK-ja tani është e fokusuar në garën e saj elektorale të balotazhit dhe jo në garën e partive tjera.