LDK-ja reagon për vizitën e liderëve shtetërorë në Bruksel

17 korrik 2018 | 19:19

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka vlerësuar se drejtuesit e institucioneve aktuale dhe individët e tjerë të infiltruar në pushtet për kusure politike, të cilët pritet të udhëtojnë në Bruksel, nuk kanë autoritet, nuk kanë legjitimitet dhe as mbështetje popullore që ta përfaqësojnë Republikën e Kosovës në dialogun me Serbinë.

“LDK-ja konsideron se ky grup njerëzish, të cilët i lidh vetëm mbetja në pushtet, e të cilët nuk përfaqësojnë më shumë se 40 për qind të qytetarëve, nuk i bëjnë nder dhe nuk mund të flasin e të marrin vendime në emër të qytetarëve të Kosovës, duke mos pasur mbështetjen e Kuvendit të Republikës së Kosovës. LDK-ja konsideron se vetëm zgjedhjet e reja nacionale mund të prodhojnë institucione legjitime për t’i çuar përpara të gjitha proceset e rëndësishme për shtetin si dhe për ta ndaluar degradimin e plotë institucional, politik e ekonomik që e ka pllakosur Kosovën”, është thënë në reagimin LDK-së.

Pavarësisht prej kësaj, LDK-ja mbështet procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja dhe ShBA-ja për normalizimin e relacioneve në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë.

“Por, ky proces mund të çohet përpara vetëm nga institucionet legjitime të dala nga zgjedhjet e reja, të lira dhe demokratike, si dhe me një konsensus të gjerë institucional, politik e shoqëror”, është thënë në këtë reagim.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ka filluar ndeshja kthyese në kuadër të rrethit të parë…