LDK-ja: Rritja ekonomike nuk është meritë e qeverisë

07 nëntor 2021 | 13:23

Projektligji për buxhetin 2022 nuk pritet të ketë ndikim të qëndrueshëm për zhvillim ekonomik, mirëqenie dhe krijim të vendeve të reja të punës.

Kështu ka vlerësuar ish-ministrja e Financave nga radhët e LDK-së, Hykmete Bajrami, e cila ka kritikuar Qeverinë Kurti, se nuk duhet të krekoset për rritje ekonomike gjatë këtij viti, pasi sipas saj, kjo nuk është meritë e kësaj qeverie, por si pasojë e rritjes së çmimeve dhe konsumit.

Deputetja Bajrami duke i quajtur deklaratat e kryeministrit Albin Kurti, politike e të ndikuara nga fushata zgjedhore, ka theksuar se norma e rritjes ekonomike ka edhe një kosto, siç është shprehur ajo me vdekjen e qindra qytetarëve gjatë verës nga Covid-19 për shkak të masave të liruara nga qeveria.

Madje, ajo ka folur edhe për menaxhimin e pandemisë nga ish-Qeveria Hoti, të cilën e ka quajtur të suksesshme.

Ish-ministrja e Financave, Hykmete Bajrami në një intervistë për “Kosovapress”, ka thënë se fatkeqësisht me projektbuxhetin e vitit 2022, ka ulje të buxhetit për Ministrinë e Shëndetësisë në pandemi dhe nuk ka ngritje të buxhetit për sektorin e drejtësisë dhe arsimit.

Bajrami duke treguar faktorët tjerë të ndikimit të rritjes ekonomike, ka thënë se asnjë masë e qeverisë aktuale nuk i ka kontribuar kësaj rritje, e cila pritet të jetë dy shifrore.

“Qeveria nuk duhet të krekoset shumë sepse nuk janë parë masa konkrete, të paktën deri më tani, të cilat kanë ndikuar dhe i atribuohen kësaj rritje ekonomike. Është e vërtet se ka një rritje të eksportit të produkteve, por gjithashtu kemi edhe rritjen më të madhe të importit të produkteve. Nëse krahasohet viti 2021 me 2019, kemi 30 për qind rritje të importit. Kjo shënon rritjen më të madhe në historinë 21-vjeçare të pas luftës. Prandaj kjo në mënyrë automatike ka me ndikuar në të hyrat e buxhetit dhe tek rritja ekonomike, e cila është e dominuar nga konsumi. Shpeshherë deklaratat e qeverisë janë politike, të ndikuara nga fushatat zgjedhore. Me krejt masat që i kemi marrë (në atë kohë) konsideroj që ka qenë e suksesshme për shkak se ne kemi arritur edhe ta mbajmë ekonominë deri diku të hapur, por të njëjtën kohë edhe ta menaxhojmë pandeminë. Tash kjo rritja ekonomike më së shumti i atribuohet muajve të verës. Është e vërtet që me relaksimin e përgjithshëm të masave me u krijua përshtypja te të gjithë qytetarët dhe diaspora se ka përfunduar pandemia, por mos të harrojmë se kjo rritje ka pasur edhe koston e jetëve të njerëzve të cilët ne i kemi humbur gjatë verës, sepse na erdhi një valë e rëndë e pandemisë”, ka thënë ajo.

Bajrami derisa i është referuar raporteve të Bankës Botërore për rritjen ekonomike, ka thënë se kësaj i ka kontribuar konsumi, remitencat dhe rritja e çmimeve.

“Sipas raportit të Bankës Botërore, rritja ekonomike këtë vit do të jetë 7.1 për qind dhe për periudhën afatmesme pritet të stabilizohet dhe të jetë diku mes të 4 dhe 5 për qind. Por të themi se Banka Botërore është më konservativ, por mund të kemi një rritje ekonomike pak më të madhe, ndoshta edhe mund t’i afrohet 10 përqindëshit deri në fund të vitit për shkak të konsumit, vizitave nga diaspora dhe remitencave, të cilat kanë ardhur në masë të madhe, por edhe inflacioni (çmimet) dhe rritja e importeve, ku ne kemi importuar inflacion. Do të jetë sfidë adresimi i kësaj çështje në të ardhmen. Po presim që kjo rritje të stabilizohet. Ajo çfarë duhet, është se ka tepër nevojë që të bëhen reforma strukturale dhe mua më vjen keq që reforma të tilla nuk ka të parapara në draft buxhetin, i cili është dorëzuar në kuvend”, ka thënë Bajrami.

Sa i përket projektbuxhetit për vitin 2022 të miratuar një javë më parë nga qeveria, kryetarja e Komisionit për Mbikëqyrje Financiare, Hykmete Bajrami, ka vlerësuar se buxheti mbetet i ngufatur me skema sociale dhe nuk është i orientuar për mbështetje të prodhimtarisë në vend.

“Është e vërtet se ka një rritje të buxhetit në 2.7 miliardë euro, por nëse shohim se si bëhet shpërndarja e këtyre fondeve, ne nuk presim me pasur reforma strukturale të cilat kërkohen prej institucioneve ndërkombëtare. Dhe besoj që janë kërkesa të drejta dhe të favorshme që kishin me ndikuar edhe te mirëqenia jonë, dmth. orientimi edhe i buxhetit dhe i politikave drejt prodhimit, sepse po e shohim që kur varemi shumë prej importit, atëherë mund të importojmë në këtë rast edhe inflacionin që vjen nga vendet tjera. Është një pjesë e madhe buxhetit, e cila shkon në skema sociale. Janë vendimet të cilat ne edhe i konsiderojmë se pjesa më e madhe e tyre po merren edhe për shkak të kampanjave (fushatave), por fatkeqësisht nuk është që kemi parë ngritje të buxhetit për sektorin e drejtësisë, arsimit, derisa ka një ulje të buxhetit te Ministria e Shëndetësisë, kur ne dimë së për dy vjet krejt koncentrimi në MSh edhe prej qeverisë paraprake dhe kësaj aktuale, ka qenë në menaxhimin e pandemisë… Pra ka një zbritje të buxhetit te Ministria e Shëndetësisë, nuk e di nëse ata kanë supozuar që pandemia ka përfunduar, kështu ne kemi nevojë të kemi shumë më shumë para për listën esenciale të barnave”, ka thënë Bajrami.

Madje, ajo ka edhe një përgjigje ndaj deklaratës së kryeministrit Kurti për krahasimin e Kosovës me Kroacinë sa i përket zgjerimit ekonomik.

Bajrami ka thënë se para se të krahasohet Kosova me Kroacinë në aspektin e rritjes ekonomike, që është larg, qeveria duhet t’i përmbush zotimet për zëvendësimin e shumë produkteve të importuara me prodhime vendore.

“Rritja ekonomike nuk vjen vetvetiu, duhet me ndryshuar diçka. Rritja ekonomike vjen shumë edhe prej iniciativës së sektorit privat, por në qoftë si parlament por edhe qeveria që është përgjegjësi kryesor duhet ta krijoj një ambient më të favorshëm, dhe ketë nuk është duke e bërë qeveria aktuale. Ata para se me pritë me krahasuar Kosovën me Kroacinë dhe më zënë këtë shtet me rritje ekonomike ku jemi shumë larg, unë mendoj se duhet të fokusohen në programin qeverisës dhe në premtimet elektorale të cilat i kanë dhënë. Po e përmend, është shembulli i çerdheve, por ne nuk i harrojmë deklarimet e zëvendësimit të shumicës së produkteve të importuara me prodhime vendore dhe politikat ekonomike për të përkrahur prodhimin. Pra, nuk është që deri më tani kemi parë diçka të tillë”, ka thënë ajo.

Veç kësaj, proklamimi i qeverisë për ndërtimin e 50 çerdheve, deputetja Bajrami ka thënë se nuk pritet të ndodhë me 5 milionë euro të buxhetuara për këtë kategori.

Në fund, ajo ka thënë se deklaratat e kryeministrit Kurti dhe vartësit të tij Besnik Bislimi për shtimin e numrit të punësimit nuk janë të vërteta.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shumë zona të kryeqytetit dhe rajone të Bosnjë-Hercegovinës janë vërshuar…