LDK-ja shënon 36-vjetorin e themelimit me homazhe tek Ibrahim Rugova
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), nën drejtimin e kryetarit Lumir Abdixhiku, ka kremtuar 36-vjetorin e themelimit të saj me homazhe tek varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova në Velani të Prishtinës. Në këtë aktivitet është theksuar roli i rëndësishëm i Rugovës dhe i LDK-së në rrugën drejt lirisë, pavarësisë dhe zhvillimit të demokracisë në Kosovë.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka kujtuar se programi i partisë, i krijuar nga Rugova dhe intelektualë të shquar para 36 vitesh ishte bërë një platformë kombëtare për gjithë popullin e Kosovës, me synim lirinë, pavarësinë dhe demokracinë. Ai ka shtuar se ky mision mbetet themeli i veprimtarisë politike të LDK-së edhe sot.
“LDK, para se të ishte parti politike, ka qenë një lëvizje e gjithë popullit të Kosovës. Kujtojmë themeluesit, veprimtarët dhe aleatët tanë që qëndruan pranë popullit në periudhat më të vështira, dhe me krenari vazhdojmë rrugëtimin tonë drejt së ardhmes”, ka thënë Abdixhiku.
Në përvjetorin e 36-të, LDK-ja ka riafirmuar angazhimin e saj për të mbajtur gjallë vizionin historik të Rugovës dhe për të kontribuar në zhvillimin e mëtejshëm demokratik të vendit.



