LDK-ja: S’kemi votë për asnjë lloj qeverie, në zgjedhje e masim veten secili
Nga Lidhja Demokratike të Kosovës (LDK) kanë thënë se nuk kanë marrë asnjë ftesë të re nga Glauk Konjufca, ndërsa është theksuar se nuk kanë votë për asnjë lloj qeverie.
Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Berat Rukiqi në konferencë për medie, ka thënë se çështja e mandatarit të ri është veç taktikë për blerje të kohës nga Lëvizja Vetëvendosje.
Ai ka thënë se po presin që kjo kohë të konsumohet dhe të shkohet në zgjedhje.
“Asnjë ftesë të re, në asnjë rrethanë nuk ka votë për asnjë lloj qeverie e cila tash është veç një taktikë e re për të blerë kohë, dhe asnjëherë serioze për me kriju shumicë. Siç e kemi thënë në fillim, nuk ka shumicë, dhe derisa nuk ka shumicë politike dhe s’ka marrëveshje politike, LDK nuk jep votë. Presim sa më shpejt të konsumohet edhe kjo blerje e kohës nga LV-ja dhe të kemi edhe datën e zgjedhjeve dhe ta masim veten secili”, ka thënë Rukiqi.
Në konferencë i pranishëm ishte edhe deputeti Alban Zogaj, i cili ka thënë se s’kanë informata nëse dikush prej anëtarëve është kontaktuar nga LV-ja.
“S’kemi ndonjë informacion që është kontaktuar ndonjë prej anëtarëve. S’ka pasur qasje institucionale e as individuale”, ka thënë Zogaj.
Osmani më 4 nëntor e ka mandatuar Konjufcën për formimin e qeverisë, pas dështimit të Albin Kurtit. Presidentja kishte thënë se LV-ja dhe Konjufca kanë besim të plotë se mund t’i arrijnë 61 vota, të mjaftueshme për formimin e qeverisë.
Nga partitë tjera nuk ka pasur ndonjë propozim për mandatarin.



