
LDK-ja: Urimi i kryetares së Kushtetueses për kryeministrin Kurti, i paprecedentë
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) nëpërmjet një reagimi ka shprehur brengosje për siç ka theksuar afërsinë e paprecedentë të Gjykatës Kushtetuese me qeverinë , përkatësisht pushtetin.
Ky reagim i LDK-së ka ardhur pasi kryetarja e kësaj gjykate, Arta Rama-Hajrizi, ka uruar Albin Kurtin për zgjedhjen e tij si kryeministër i Kosovës.
“Pavarësia e Gjykatës Kushtetuese ka qenë vlerë e jashtëzakonshme e pjekurisë demokratike të institucionit që për vite ka ruajtur kredibilitetin e vet. Pushteti i Gjykatës është i ndarë dhe i pavarur nga ai i Qeverisë dhe si i tillë duhet të mbetet gjithherë. Tani çdo afrim, i kryetares së gjykatës, në emër të gjykatës, qoftë edhe si urim, i paprecedentë e i pazakontë dhe mbi të gjitha anues, dëshmon për cenimin e kredibilitetit të institucionit në fjalë; në kohë kur paanshmëria është vlerë thelbësore e demokracisë”, është thënë në reagimin e LDK-së.