
LDK nesër i drejtohet Kushtetueses për Komisionin për Votim të Fshehtë
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka thënë se grupi parlamentar i kësaj partie nesër do t’i drejtohet me pyetje Gjykatës Kushtetuese.
Haziri tha ekskluzivisht në “DPT te Fidani” në Klan Kosova se pyetja e LDK-së për Kushtetuesen do të jetë se a ka të drejtë kryesuesi i kuvendit, deputeti më i vjetër, Avni Dehari, që të vazhdojë t’i ftojë deputetët që ta zgjedhin komisionin për votimin e fshehtë.
“Ne prapë kemi me dërgu nesër, grupi i deputetëve të LDK-së e ka përgatitur draftin në Gjykatë Kushtetuese ku do të kërkojë shpjegim dhe vlerësim të Kushtetueses në lidhje me çështjen, sepse ne po ftohemi që të votojmë për një komision ad-hoc i cili në procedurë e sipër, kryesuesi fton pa të drejtë”.
“Ne do t’i drejtohemi në këtë frymë të vendimit që e ka sjellur, se a ka të drejtë kryesuesi të vazhdojë që t’i ftojë deputetët që të zgjedhin komision ad-hoc për votim të fshehtë. Është eksplicit në kërkesë”, tha Haziri.
Tutje, Haziri tha se nëse krijohet një situatë e çrregullt politike, ku Kosovës i mungon presidenti dhe kreytari i kuvendit, atëherë kryetari i Gjykatës Kushtetuese udhëheqë me Kosovën.
“Të krijohet një situatë e çrregullt në Kosovë, ku mungon presidenti, mungon kryetari i kuvendit, atëherë kryetari i Gjykatës Kushtetuese udhëheqë me Kosovën. Ai është autoritet që zëvendëson në vakume të mëdha institucionale, ai është në ranglistë ta marrë autoritetin dhe ta udhëheqë shtetin”, tha ai./Periskopi/