
LDK zyrtarizon Driton Selmanajn si kandidat për kryetar të Prizrenit
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka zyrtarizuar Driton Selmanajn si kandidat për kryetar të qytetit historik, Prizrenin. Kështu ka bërë të ditur përmes llogarisë së vet në facebook.
Njoftimi i plotë:
Sonte u mbledhëm në një nga qytetet më të bukura të Kosovës, në njërin ndër më të vjetrit, më të pasurit dhe më të dashurit. Ishim në Prizren – në kryeqytetin e shpirtit tonë historik, në vendin ku është rrahur zemra e identitetit tonë kombëtar, në vendin ku është thurur Lidhja që i dha popullit tonë shpresë e rrugë drejt lirisë.
Aty zyrtarizuam kandidatin tonë për zgjedhjet e ardhshme lokale, Driton Selmanajn.
Dritoni vjen në këtë garë me përgatitje profesionale dhe me gatishmëri të plotë për të hapur një faqe të re në Prizren. Një faqe ku përparësitë nuk janë ndarjet partiake, por nevojat e qytetarëve. Ku prioritet nuk është retorika, por zhvillimi – i vërtetë, i matur, i planifikuar. Sepse qyteti ka nevojë për të rindërtuar besimin me qytetarët. Ka nevojë për shërbime publike më të mira, për infrastrukturë moderne, për investime në arsim, në kulturë, në turizëm, në teknologji. Ka nevojë për planifikim urban që mbron trashëgiminë, por hap rrugë për të ardhmen. Ka nevojë për investime në rininë e këtij qyteti – për të cilën LDK ka një plan të qartë: të ofrojë mundësi, të ndërtojë institucione, të hapë vende pune, të krijojë hapësira kulturore.
Dhe në këtë betejë, Driton Selmanaj është i gatshëm. Ai e kupton që Prizreni nuk është një qytet që kërkon spektakël – por një qytet që kërkon përkushtim. Dhe këtë ai është gati ta japë.
Na prifte e mbara.