
LeBron Jamesi gati ta thyejë rekordin e sezoneve në NBA
LeBron Jamesi do ta ushtrojë opsionin prej 52.6 milionë dollarësh si lojtar me lakersat për sezonin sportiv 2025-’26. Kështu, ai bëhet basketbollisti i parë në histori që do ta luajë sezonin e 23 në NBA. Jamesi do të mbushë 41-vjeçar në dhjetor, ndaj i ka kërkuar klubit që të ndërtojë një ekip pretendent. Pasi realizoi ëndrrën të luajë në një ekip me djalin e tij (Brony), tashmë ai kërkon edhe një tjetër titull kampion me lakersat, pas atij të fituar në kohën e pandemisë. Duket se ai e ka kaluar një dëmtim që pësoi në fazën “play-off”.
“Kam shumë kohë për t’u kujdesur për dëmtimin tim, gjurin tim, trupin tim dhe për t’u siguruar që jam sa më afër 100 % kur të fillojë kampi stërvitor, në fund të shtatorit”, ka thënë Jamesi në një intervistë.
Sezoni i ardhshëm do të jetë viti i tij i parë i plotë me Luka Donçiqin si shok skuadre, një dyshe që ëndërron, por që ka nevojë për ndihmë nga pjesa tjetër e skuadrës. Agjenti i LeBronit, Rich Paul, ka deklaruar: “LeBroni dëshiron të garojë për titullin. Ai e di që Lakersi po ndërton për të ardhmen”. “Ai e kupton këtë por, gjithashtu, e di se ka një shans real për të fituar. Ne e vlerësojmë shumë partneritetin që kemi pasur për tetë vjet me klubin dhe e konsiderojmë Lakersin një pjesë themelore të karrierës së tij. Ne e kuptojmë vështirësinë e fitores tani, ndërsa përgatitemi për të ardhmen”, ka shtuar agjenti i “King James”-it.
Në fund, agjenti i LeBronit ka shtuar: “Ne duam të vlerësojmë se çfarë është më e mira për të në këtë fazë të jetës dhe karrierës së tij. Ai dëshiron ta bëjë çdo sezon që i ka mbetur t’i vlejë dhe lakersat e kuptojnë këtë, e mbështesin atë dhe duan më të mirën për të”.