Legjenda e Baselit: Shaqiri dhe Xhaka janë në mesin e pesë më të mirëve që ka pasur Zvicra

07 maj 2025 | 16:06

Marco Streller është legjendë e Baselit. Ai ka luajtur gjatë si sulmues për skuadrën e madhe zvicerane. Më pas kishte edhe rol drejtues, por tashmë nuk është më i përfshirë.

Dhe ajo që po e bën aktualisht Xherdan Shaqiri te Baseli ka impresionuar Strellerin.

Shaqiri po shkëlqen dhe po e udhëheq Baselin drejt titullit të kampionit të Zvicrës. Streller e ka quajtur “mjeshtër” Shaqirin. Ka folur për euforinë që solli Shaqiri me ardhjen te Baseli. Ka thënë se Shaqiri meriton respektin më të madh për mënyrën se si i reziston presionit dhe si i tejkalon pritjet.

“Shaqa është nga figurat lokale me të cilat njerëzit mund të identifikohen menjëherë. Pa dashur të zvogëloj meritat e të tjerëve, ajo që po ndodh tani te Baseli ka shumë të bëjë me Xherdanin”, ka thënë Streller për “Blick”.

Shaqiri është rritur te Baseli, ndërsa sipas Strellerit, ai motivohet nga “ndjenja e shtëpisë”. “Është ndryshe kur vesh këtë fanellë dhe ke rrënjët nga këtu. E ndien përgjegjësinë, pritjet, por edhe dashurinë e atyre që të rrethojnë. Të drejtosh ekipin si kapiten është roli më i madh. Shaqa tani e ka këtë status te Baseli”.

Streller është pyetur se ku e sheh Shaqirin në “fotografinë e madhe” të futbollit të Zvicrës.

“Xherdani e Graniti (Xhaka) janë në të njëjtin nivel. Janë në mesin e pesë futbollistëve më të mirë që ka pasur Zvicra ndonjëherë. Graniti ishte kapiten natyral qëkur e kam shikuar herën e parë. Së pari e pashë atë. Xherdani është lojtar tjetër, gjithnjë i etur për spektakël. Fëmijët e duan atë, duan të jenë si ai. Është si Pedri apo Yamali te Barcelona. Njëri është strateg brilant, tjetri argëtues i jashtëzakonshëm. Shaqiri është lojtar i spektaklit, lojtar që bën dallimin”, ka vazhduar Streller, që i ka 37 ndeshje e 12 gola për Zvicrën.

Strellerin më së shumti e kanë befasuar aftësitë prej lideri të Shaqirit. Ka thënë se Shaqiri është lokomotiva e ekipit. Sipas Strellerit, ndonjëherë duket që Shaqiri e mban gjithë përgjegjësinë e skuadrës. Në të kaluarën te Baseli përgjegjësia është ndarë nga më shumë lojtarë.

33-vjeçarin Shaqiri për të arritur këtë e ndihmon sjellja e relaksuar, thotë Streller. Dhe kjo po i mundëson që të paraqitet në nivel shumë të lartë. Shaqiri i ka 15 gola e 20 asistime në 30 paraqitje kampionale.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se e ka arrestuar…