
Legjenda e Spartakut: Daku do t’i shërbente secilit klub të Moskës
Ish-futbollisti i përfaqësueseses së Rusisë dhe legjenda e Spartakut të Moskës, Aleksandër Mostovoi, ka vlerësuar sulmuesin shqiptar Mirlind Daku, duke thënë se ai do t’i shërbente çdo klubi të madh të Moskës.
Në një intervistë për “RB Sport”, Mostovoi u shpreh se Daku ka profilin dhe cilësitë për të qenë i suksesshëm te CSKA, Spartak, Dinamo apo Lokomotiva, klube këto të cilat janë të vendosura në Moskë.
27-vjeçari aktualisht luan për Rubin Kazanin dhe gjatë merkatos së janarit pati interes nga Spartaku dhe Lokomotiva, por ai vendosi të qëndrojë në Kazan deri në fund të sezonit.
“Zeniti me shumë gjasë nuk do të interesohet për Dakun këtë verë, sepse ka një sulm të kompletuar. Te Krasnodari, Kordoba është më i fortë se Mirlindi, kështu që as ai nuk është opsion. Vetë Daku nuk do të dëshironte të ulej në stol nëse merret, duhet të jetë si titullar”, u shpreh Mostovoi.
Edhe pse Rubini mund të jetë një ambient i përshtatshëm për të, Mostovoi mendon se një hap drejt një klubi më të madh në Moskë do të ishte i dobishëm për Mirlind Dakun, duke parë potencialin e tij.
“Nëse CSKA, Spartaku, Dinamo apo Lokomotiva e duan me të vërtetë, Daku duhet të shkojë atje”, ka përfunduar ish-lojtari i Spartakut, Benficës dhe Celta Vigos.