
Lehtësohet mundësia për suspendimin e liberalizimit të vizave në BE
Parlamenti Evropian ka miratuar të martën ligjin e ri që e bën më të lehtë pezullimin e udhëtimit pa viza për qytetarët e vendeve të treta që shkelin të drejtat e njeriut ose nuk zbatojnë vendimet e gjykatave ndërkombëtare.
Sipas reformës, Komisioni Evropian do të ketë më shumë kompetenca për të rikthyer vizat ndaj vendeve që paraqesin rrezik për sigurinë apo shkelin detyrimet ndërkombëtare, raporton agjencia e lajmeve Anadolu.
Për herë të parë, si arsye pezullimi do të merren parasysh edhe shkeljet e Kartës së OKB-së, ligjit humanitar dhe mosrespektimi i vendimeve të gjykatave ndërkombëtare.
Ligji i ri, i cili pritet të miratohet formalisht nga Këshilli i BE-së, parashikon gjithashtu ndëshkime të veçanta për zyrtarët përgjegjës për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut.
Në listën e vendeve me hyrje pa viza në BE përfshihet edhe Izraeli, i cili aktualisht përballet me akuza për krime lufte dhe gjenocid për ofensivën në Rripin e Gazës.
Ndërsa, siç raporton portali Koha.net përmes korrespodentit të tij në Bruksel, Parlamenti Evropian ua ka tërhiqur vërejtjen vendeve të rajonit, sidomos Kosovës dhe Shqipërisë, që të mos ketë raste të tepërta të tejkalimit të kohës së lejuar për qëndrim pa viza në ndonjë vend të BE-së, për të punuar ilegalisht, apo numër të madh të kërkesave të pabazuara për azil.
Këto rregulla do të hyjnë në fuqi në muajin dhjetor.