
Leje për Ukrainën të godasë Rusinë me raketa perëndimore – Merz: Jemi të kërcënuar dhe duhet të mbrohemi
“Ne jemi të kërcënuar dhe do të mbrohemi. Nuk duhet të ketë asnjë dyshim mbi faktin se ne duhet të mbrohemi”. Kështu deklaroi sot kancelari gjerman Friedrich Merz në një konferencën në Helsinki me homologun e tij, Patteri Orpo, duke iu përgjigjur një pyetje të gazetarëve mbi zhvillimet në Ukrainë.
“Nëse Putin nuk pranon as ndërmjetësimin e Vatikanit do të thotë që nuk i intereson aspak armëpushimi, theksoi Merz.
Sakaq, Gjermania dhe aleatë të tjerë të Ukrainës kanë hequr kufizimet ndaj Kievit për të lëshuar raketa me rreze të gjatë veprimi drejt Rusisë për herë të parë, tha kancelari gjerman të hënën, pas disa ditësh bombardimi masiv ajror të kryeqytetit dhe rajoneve të tjera nga Rusia.
Kjo lëvizje shënon një ndryshim të rëndësishëm në qasjen e aleatëve kryesorë, të cilët i kishin rezistuar kërkesave të Ukrainës për të përdorur armë të furnizuara nga Perëndimi thellë brenda Rusisë.
“Nuk ka më kufizime në distancën e veprimit për armët e furnizuara Ukrainës”, tha kancelari gjerman Friedrich Merz në një forum evropian në Berlin të hënën. “As nga britanikët, as nga francezët, as nga ne. As nga amerikanët”, shtoi ai.
Rusia sulmon pa mëshirë objektiva civile dhe bombardon qytete, tha Merz. Ukraina nuk po e bën këtë dhe kjo duhet të mbetet kështu. “Por një vend që përballet me një agresor vetëm brenda territorit të vet nuk po mbrohet dot në mënyrë të mjaftueshme”.
“Me fjalë të tjera, Ukraina tani mund të mbrohet edhe duke sulmuar pozicionet ushtarake në Rusi”, theksoi Merz.
Rusia i dënoi ashpër deklaratat e kancelarit Merz.
Kremlini tha se dërgimi i armëve me rreze të gjatë veprimi do të ishte një hap i rrezikshëm. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se dërgimi i armëve me rreze të gjatë veprimi në Ukrainë “bie ndesh me përpjekjet e Moskës për të gjetur një zgjidhje politike”.
Njoftimi vjen pas sulmeve rekord me dronë dhe raketa ndaj Ukrainës gjatë fundjavës. Presidenti rus Vladimir Putin po përballet me presion ndërkombëtar për të pranuar një marrëveshje armëpushimi, përfshirë edhe nga Presidenti i SHBA-së Donald Trump, i cili është bërë gjithnjë e më i frustruar nga progresi i ngadaltë.
Ukraina dëshiron të qëllojë me armë perëndimore me rreze të gjatë veprimi drejt Rusisë. Por fitimi në fushën e betejës nuk është i qartë.
Merz u emërua kancelar disa javë më parë dhe deklarata e tij është në kontrast të fortë me paraardhësin e tij Olaf Scholz, i cili kishte refuzuar vazhdimisht thirrjet e Ukrainës për të hequr kufizimet.