Lekaj: Qeveria Kurti, më e dobëta që nga shpallja e pavarësisë

28 qershor 2021 | 11:36

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Pal Lekaj, ka thënë se Qeveria Kurti është më e dobëta që nga shpallja e pavarësisë.

Në 100-ditëshin e formimit të ekzekutivit, Lekaj ka hedhur kritika ndaj kryeministrit Albin Kurti për qasjen e tij karshi institucioneve publike, dialogut dhe siç ka thënë ai tendencën për prishje të raporteve me ShBA-në.

Deputeti i AAK-së ka thënë se përveç shkarkimeve dhe “ngarkimeve”, Qeveria Kurti nuk ka bërë asgjë në këta tre muaj qeverisje.

“Me veprimet e deritanishme mund ta quaj qeverinë më të dobët që e ka pasur Kosova pas pavarësisë. Kjo me jep me kuptuar që këta kanë ardhur më shumë me inate, çka ka qenë në të kaluarën mos me pranuar, por të jenë në kuptimin që 20 vjet këta kanë bërë të këqija dhe tash po të njëjtat po i veprojnë me institucionet e pavarura… Ata po sillen në arrogancën e numrave dhe po sillen sikur opozitë, në vend që me vepruar dhe përmirësuar jetën e qytetarëve dhe mbështetjen e atyre që kanë humbur vendet e punës, këta po vendnumërojnë. Për këtë e thash, me dashamirësinë më të madhe kisha dashur të gjejë diçka pozitive për këtë qeveri…përpos shkarkimeve dhe ngarkimeve, këta nuk kanë bërë diçka të mirë edhe ato shkarkime që po i bëjnë pa pasur një raport paraprak”, ka thënë Lekaj ai për “Kosovapress”.

Sipas tij, qasja e kryeministrit Kurti ndaj dialogut me Serbinë nuk dallon nga ish-qeveritë e kaluara, ani pse Kurti po e quan dialog të ri.

“Tani nuk po e quan asociacion pa kompetenca ekzekutive, por po e quan asociacion gjeografik. Çfarë do të thotë kjo? Mendoj se këtu është një mjegulli që Kurti po rrëshqet në atë që vet e ka kundërshtuar dhe t’i thotë po. Ne si AAK do të monitorojmë veprimet e Qeverisë Kurti, sidomos në dialog me Serbinë. Të shkosh në dialog pa pasur një kornizë të qartë është gabim, e ka kritikuar edhe qeverinë e mëparshme dhe ky prapë po e bënë gabimin e njëjtë. Nuk po shoh ndonjë ndryshim sa i përket qasjes së dialogut”,  ka thënë Lekaj.

Krahas kësaj, Lekaj ngre dyshime se administrata Biden do ta ulë nivelin e interesimi e bashkëpunimit me Qeverinë Kurti.

“Nëse do të jetë kjo qasje e qeverisë Kurti dhe vet personalisht kryeministrit tonë, mendoj se do të zbret niveli i interesimit të ShBA-së për të bashkëpunuar me Qeverinë Kurti. Kjo e dëmton shtetin e Kosovës dhe perfomrancës diplomatike”, ka thënë ai.

Qeveria Kurti II është votuar në Kuvendin e Kosovës më 22 mars të këtij viti, derisa më 30 qershor bëhen 100 ditë qeverisje me ekzekutivin.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Emërtimi “Flladi i detit” tingëllon romantik për një manovër ndërkombëtare…