
Lëndohet Lewandowski, mungon ndaj Comos
Barcelona nuk do ta këtë në dispozicion sulmuesin Robert Lewandowskin në ndeshjen e Trofeut Joan Gamper kundër Comos, që do të zhvillohet të dielën në stadiumin “Johan Cruyff”.
Klubi katalanas njoftoi zyrtarisht se sulmuesi polak pësoi një dëmtim muskulor gjatë stërvitjes të premten në Ciudad Deportiva. Sipas komunikatës mjekësore të klubit, Lewandowski ka pësuar një shqetësim në muskujt e kofshës së majtë dhe nuk do të jetë në dispozicion për ndeshjen e së dielës.
Evolucioni i dëmtimit do të përcaktojë kohën e rikuperimit të tij. Trajneri Hansi Flick ka vendosur të mos rrezikojë, duke preferuar që Lewandowski të pushojë, me qëllim rikuperimin për nisjen e La Ligas kundër Mallorcas javën tjetër.
Ndërkohë, në mungesë të tij, Barcelona po shqyrton si zëvendësues kryesorë Ferran Torres dhe blerjen e fundit, Marcus Rashford, me anglezin që pritet të marrë rolin e titullarit në sulm për këtë sfidë miqësore.