Lëshohen disa urdhra për përgatitjen e seancës së Apelit ndaj Pjetër Shalës

08 maj 2025 | 12:23

Pas caktimit të seancave në Gjykatën e Apelit të Speciales për 15 dhe 16 maj 2025 në çështjen ndaj Pjetër Shalës, gjyqtarja Michele Picard ka lëshuar disa urdhra për përgatitjen e kësaj seance, me anë të cilave kërkon nga palët që brenda fushëveprimit të tyre të ngritin disa çështje.

Në vendimin e 5 majit 2025, thuhet se duke marrë parasysh vendimin e trupit gjykues lidhur me keqtrajtimin kolektiv të të ndaluarve dhe përmirësimin e kushteve të ndalimit dhe trajtimin e të ndaluarve në Fabrikën e Metalit në Kukës menjëherë pas vdekjes së një personi rreth 5 qershorit 1999, të parashtrojnë se cilat të dhëna gjatë gjykimit tregojnë ose kundërshtojnë pretendimet se të ndaluari iu nënshtruan keqtrajtimit kolektiv dhe iu përmirësuan kushtet e ndalimit pas vdekjes së viktimës.

Duke qenë se mbrojtja ka kundërshtuar dënimin e Shalës për torturë ndaj katër individëve specifik, paneli i Apelit ka kërkuar që pjesëmarrësit të parashtrojnë gjatë seancave se cilat prova të drejtpërdrejta të paraqitura gjatë gjykimit i mbështesin ose i kundërshtojnë këto pretendime, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjithashtu, kërkohet që mbrojtja të elaborojë se pse mbështetja e trupit gjykues në ndonjërin nga burimet e së drejtës ndërkombëtare që është përmendur në paragrafët 942 dhe 942 të aktgjykimit për të interpretuar garancitë procedurale bazike të dytë dhe të tretë, sjellja e personit të privuar nga liria përpara një autoriteti kompetent në kohë të shpejtë dhe dhënia e mundësisë për të kontestuar ligjshmërinë, përbën gabim juridik.

Si rrjedhojë, është kërkuar nga ZPS-ja që të ketë përgjigje në parashtrimin e mbrojtjes lidhur me këtë pjesë.

Meqenëse trupi gjykues ka arritur në përfundime se të ndaluarit në Fabrikën e Metalit u arrestuan dhe mbaheshin mbi akuza të paqarta si bashkëpunëtorë, spiunë, tradhtarë ose që nuk mbështetësin përpjekjet e UÇK-së për liri, iu është kërkuar palëve që të tregojnë nëse mund të elaborojnë mbi provat e përdorura nga trupi gjykues lidhur mbi këto përfundime.

“…a mund të elaborojnë palët: i) mbi provat që u përdorën nga Paneli për të arritur në përfundimin se të ndaluarit në KMF ‘nuk ishin mbajtur në KMF sipas ndonjë akuze penale dhe se asnjë shqetësim për sigurinë nuk e bënte absolutisht të nevojshme ndalimin e tyre’; dhe ii) të japin mendimin e tyre nëse, në rrethanat e këtij rasti, provat ishin të mjaftueshme për të mbështetur këtë përfundim sipas standardit të duhur?”, thuhet në vendim.

Gjithashtu është kërkuar që në rast që munden palët të shpjegojnë standardin “Mens rea” i cili është i nevojshëm për krimin e vrasjes dhe si ndikohet ky standard nga mënyra e përgjegjësisë juridike e përdorur veçanërisht tek pjesa e përgjegjësisë së një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale.

Po ashtu, të tregohet nëse ZPS-ja mund të elaborojë mbi provat që trupi gjykues ka përdorur për të ardhë në përfundim se Shala kishte qëllime të drejtpërdrejta për kryerjen e krimit të vrasjes si pjesë e “Ndërmarrjes së Përbashkët Kriminale”.

Veç kësaj, u kërkua të tregohet se a mund të paraqesin palët mendimet e tyre nëse aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese në rastin e Salih Mustafës të lëshuar më 17 prill 2025 ndikon në gjetjet e panelit lidhur me dënimin.

“Paneli i Apelit thekson se parashtresat gojore duhet të mbështeten në gjetjet e Panelit Gjyqësor dhe në provat e regjistruara, kur janë të rëndësishme, si dhe në jurisprudencën përkatëse. Paneli ua kujton palëve dhe pjesëmarrësve se pritet që argumentet e tyre gojore të fokusohen në motivet e apelimit të ngritura në parashtresat e tyre dhe se seanca për apelimin nuk është rast për paraqitjen e argumenteve të reja mbi meritat e çështjes”, thuhet në vendim.

Veç kësaj, u ftuan palët që sipas rastit të adresojnë gjatë seancës apelimet- çështjet e identifikuara si më sipër.

Pjetër Shala ka apeluar vendimin e Themelores së Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, e cila e dënoi me 18 vjet burgim për krime lufte. Si rrjedhojë, 15 dhe 16 maji 2025 janë caktuar për mbajtjen e seancave të Apelit në këtë rast.

Sipas vendimit, në ditën e parë, seanca do të fillojë nga ora 13:30 deri në 17:10, ndërsa në ditën e dytë nga ora 10:00 deri në 11:35.

Në vendim thuhet se këto data janë caktuar pasi kanë përfunduar të gjitha afatet për dorëzimin e dosjeve nga palët. Aty thuhet se më 4 shkurt 2025 ka përfunduar dorëzimi i dokumenteve nga palët.

Sipas agjendës, më 15 maj është planifikuar që 10 minuta të jetë deklarata hyrëse të kryetares së trupit gjykues, pastaj do të vijohet për një orë e 30 minuta me paraqitje nga mbrojtja. Pas pushimit 30 minuta, seanca pritet të vazhdojë për 1 orë e 30 minuta me parashtrimet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Parashtrimet e mbrojtjes së viktimave do të bëhen për një orë në fillim të seancës së 16 majit. Pastaj, 20 minuta janë planifikuar hapësirë për mbrojtjen, për përgjigje.

Të drejtën e fjalës e ka edhe vetë Shala, e që në rast se dëshiron që ta shfrytëzojë këtë të drejtë, i janë planifikuar 10 minuta për këtë.

Seanca pritet të përfundojë me deklaratën përfundimtare të kryetares së trupit gjykues, e cila është paraparë të zgjasë rreth pesë minuta.

Veç kësaj, në vendim është udhëzuar mbrojtja që deri më 5 maj në orë 16:00 të tregojë në rast që Shala dëshiron që të marrë pjesë në seancë.

Ndryshe, më 28 mars 2025 është hedhur poshtë një kërkesë e mbrojtjes që në Apel të thirret Sokol Dobruna si dëshmitar i saj.

Në vendimin e saj, kryetarja e trupit gjykues, Michele Picard ka thënë se provat e propozuara nuk do të ndikonin në aktgjykimin ndaj Shalës në rast që ato do të ishin pranuar gjatë gjykimit në shkallë të parë, ku Shala u dënua me 18 vjet burgim për krime lufte.

Ndryshe, Pjetër Shala i përfaqësuar nga mbrojtja e tij, ka dorëzuar në Apel kërkesën kundër urdhrit për zhdëmtim që iu shqiptua më 29 nëntor 2024, i cili e obligonte që t’iu paguante viktimave 208 mijë euro.

Duke u mbështetur në pesë pika, Shala kërkon që të Paneli i Apelit ta pezullojë shqyrtimin e apelimit kundër këtij urdhri për zhdëmtim derisa të shqyrtohet apelimi për dënimin me 18 vjet burg, ndaj tij për krime lufte ose ta anulojë masën e dhënë dhe ta kthejë atë në rishqyrtim tek një trup gjykues tjetër.

Më 16 korrik, Pjetër Shala është dënuar me 18 vjet burgim ku u konstatua se përtej dyshimeve të bazuara është fajtor për pikat 1, 3 dhe 4 të akuzës. Ndërsa, aktualisht Shala është në proces të Apelit lidhur me këtë rast pasi që ka kërkuar mbrojtje të ligjshmërisë.

Shala u shpall fajtor për ndalim arbitrar si krim lufte kundër së paku 18 personave në periudhën mes 17 majit 1999 deri më 5 qershor të atij viti në Fabrikën e Metalit në Kukës, torturë si krim lufte kundër së paku 18 personave dhe vrasje e paligjshme si krim lufte kundër një personi.

Ndryshe, gjatë muajit shkurt 2023 kishte filluar gjykimi në këtë rast, ku më 21 shkurt Prokuroria dhe mbrojtja e viktimave kanë paraqitur deklaratat e tyre hyrëse, kurse më 22 shkurt janë dëgjuar deklaratat hyrëse të mbrojtjes së Pjetër Shalës, si dhe deklarata pa betim e tij.

Në mars 2023 kishte filluar paraqitja e provave të Prokurorisë, ku janë dëgjuar 10 dëshmitarë, kurse në gusht kishte filluar paraqitja e provave nga mbrojtësi i viktimave ku janë dëgjuar dy dëshmitarë.

Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.

“Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Napoli është në ethet e festës së titullit kampion, drejtuesit…