Letërnjoftimi poetik

27 janar 2026 | 08:18

Adem Gashi

Ndryshe nga artistët dhe krijuesit e tjerë të arteve, shkrimtarëve s’ka pse t’u kërkohet biografia, madje më duket punë kote shënimi për autorin në fundin e një vëllimi poetik a të një romani. Materien që mund ta përpunojnë lehtas kronistët dhe historianët e letërsisë mund ta marrin si lëndë të parë nga vepra artistike. Autori, shkrimtari aty më tepër është i tëri dhe i bëri, më i sinqerti dhe më i drejtpërdrejti, është sa fluror poaq edhe konkret, me naivitet fëmije, me profanitet burri dhe me urti plaku. Së paku unë kështu, mbi këtë bazë, e kam zbardhur letërnjoftimin poeti të Ramadan Sinanit. Kur Gëte shqiptonte mendimin-klithmë: asnjë shkrimtar i madh pa atdhe! – ai doemos që përudhte fenomenin anteizëm. Cili shkrimtar nuk i bëhet hamall kësaj ndjenje, cili shkrimtar nuk e bart mbi supe peshën e këtij “mallkimi”, sa të rëndë poaq edhe të dashur? Nga metafora vegjetative e vargjeve unë mësoj se Ramadan Sinani vjen nga Pellgu, nga rrafshulëta ku gjëllin travajshëm jeta që nga humbëtirat e kohës gjer tek mijëvjeçari i ri. Duke qenë pinjoll i gjenit ilirik ai do të mëkohet me artin popullor shëmbëllyeshëm me pararendësit e verbit poetik, me rilindësit nga të cilët do të mësojë me zellin e një nxënësi shembullor. Mpreh­tësia e vrojtimit e ruan nga atavizmi dhe epigonizmi, sikundër edhe nga eksperimentet formaliste dhe talla­zitjet e modës. Kredoja e tij megjithatë mbetet unike: është lirika atdhetare ajo që kuptimëson krijimtarinë e tij letrare. Së këndejmi edhe m’u shfaq shoqërimi i ideve me konstatimin e Gëtes për atdheun mungesor.

2.

Shtëpi të kesh. Ta lexoj ndryshe: atdhe të kesh. A nuk është shtëpia atdheu i parë, universi i parë i të sapoardhurit në jetë? Këtë e kam mësuar bindshëm nga esteti dhe matematikani francez Gaston Bashlari, më saktë nga vepra e tij “Poetika e hapësirës”. Që andej përvijohen pastaj horizontet e tjera. Nis me fytyrën e nënës mbi djep, me tavanin, me çatinë dhe centrifuga e rrathëve qiellorë të Kronosit zgjerohet pastaj pafundësisht. Përse ngul këmbë në këtë kon­cept? I lexoj të katër vëllimet poetike të Sinanit: “Kavallët e Sharrit” (1990), “Emblemë ilirie” (1995), “Heu” (2001) dhe “Acar e zjarr” (2003) në një struk­turim të ri me titullin e përbashkët “Shtëpi të kesh”. Është po ashtu poezia e parë e kësaj vepre nëpër të cilën hyhet e dilet konstelacioneve e labirinteve të artit poetik. Vjen pastaj antika jo si nostalgji dihatjesh, por si bazament identiteti me një trinomi: Shtëpia e vjetër, Mulliri i vjetër, Çarshia e vjetër. Të tri këto ele­mente bëhen shenja të atdheut, të jetës dhe të botës, do të thotë: autori duke dhënë fragmentet e gjëllimit të vet, natyrshëm konfiguron edhe mozaikun e gjëlli­mit të etnisë. Se këto nuk janë prurje të shfrymjeve poetike, por botëkuptime dhe mendësi të ngulitura, bindem sapo nis leximin e tërësisë së dytë “Emblemë ilirie”. Edhe këtu portik poetik është po shtëpia, veçse tashti nga “Në Tetovë shtëpi të kesh” bëhet “Shtëpi në atdhe” dhe sërishmi e sërishmi, në njësinë “Atdheu i tërë” poezia “Përsëri shtëpi të kesh”. Ky ngulmim për shtëpinë, ky ngulmim anksioz mëton t’i bëhet membranë mbrojtëse, korracatë asaj ngrehe që vijimisht kërcënohet të zhbëhet dhe të rrënohet. Ajo edhe mund të rrënohet, të shëmbet e të zhbëhet në trajtën e vet gurore, por kurrësesi në trajtën e saj transhendentale të artit poetik. Ajo tashti ruhet edhe në njësinë e tretë “Heu”- shpëtimi i shtëpisë. Janë bërë dhjetëra shkrime e studime për veprën madhore të De Radës, po mua në kujtesë më shfaqet pashlye­shëm konstatimi i Çabejit: Bota dhe Vatra…Njësoj, varta është shtëpia, është atdheu prej ku nis shtegtimi i shkrimtarit gjithandej botës.

3.

Ramadan Sinani shfaqet në letërsi që herët, krye­sisht me poezi, po librat e para botohen relativisht vonë. Është haraçi që paguan vepra në emër të auto­rit. Vëllezërit sijamezë sikundër dihet kanë të njëjtin fat. Megjithatë në vargjet e tij kapim një sintezë të realizimeve më të mira të brezit pararendës, sikundër edhe bruimet e bashkëkohësve të tij, por pa u hedhur në eksperimente dhe në aventurë mode e dukjeje. Asnjëherë Sinani nuk është përpjekur të përftojë ubu­bushëm e zhurmshëm. Ai ka parapëlqyer një rrjedhë të natyrshme e ritmike, ngjashëm me valën e lumit të vendlindjes së tij, ngjashëm me puhizën që ledhaton Pellgun bukëdhënës. Ekuilibri i tij është ruajtur lak­mueshëm madje edhe në situatat kur lëkundet guri e druri: në burg, në luftë dhe në përballje me dhunën e çnatyruar të okupatorit. Streha e tij, letërsia i ka dhënë azilin më të mirë, dhe në ato çaste ai është kujtuar se nuk është murg dhe ka kënduar me pasion dashurinë. Vargëzimi i tij është stabil dhe me kulturë gjuhe. Nga sintaksi poetik ka veçuar anaforën dhe aliteracionin, por edhe në këto raste vetëm si gjetje spontane dhe jo si kërkime të shtërzueshme. Prandaj tingëllojnë kënd­shëm si kantilena lirike. Kanë rrjedhur vitet. Kronosi plak ka hedhur borëtimën edhe mbi flokët e tij. Ai ka ruajtur urtinë, po herë-herë i dalin edhe klithma. Shihni njësinë e fundit: “Acar e zjarr” (2003). Revolta e tij madje edhe ironia ngrihet mbi figurën e paradoksit. Si mund të durosh pa gjëmuar kur sheh të vritet pafajë­sia ëngjëllore e qengjit (Masakër qengjash)? Dubleti që mbyll librin është një bilanc me alter egon: E paa­rritshmja, E fundshmja. Natyrisht, nuk pushtohet maja, ideali krijues i gjithë shkrimtarëve të botës. Ajo është vetëm pikiata drejt së cilës shtegtojnë krijuesit. Mos doli që këtej miti mbi Sizifin? Megjithatë, poetët në vuajtjen e tyre janë sovranë dhe të lumtur. Lexojeni këtë letërnjoftim të lumturisë së dhimbshme të auto­rit.

______

2003

Marrë nga libri “Nostalgjia e letrës”. Radhiti: N. Sh. Armagedoni

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një zyrtar i lartë i imigracionit amerikan pritet të largohet…