Letra nga burgu për lulet e jetës

19 janar 2022 | 11:40

Dibran Demaku

Letrat si mjet komunikimi në shoqërinë njerëzore kanë qenë dikur, e më pak sot ai mjeti si të thuash i veçantë dhe i vetëm, sidomos kur individi, për një arsye apo për një tjetër ka qenë larg nga rrethi familjar e shoqëror. Përveç kësaj letrat kanë qenë edhe si mjet komunikimi në mes anëtarëve të familjes: vëllai i ka shkruar vëllait, motrës, prindit, xhaxhait, dajës, mikut.

Letrat kanë qenë edhe mjet komunikimi në mes të të dashuruarve, të cilët për një arsye apo për një tjetër nuk kanë mundur të takoheshin fizikisht, sepse ishin kohë dhe mentalitete të tjera, andaj letrat ishin mjeti i komunikimit në lidhjen dashurore etj.

Letrat dhe kartolinat ishin edhe mjeti i vetëm dhe i pazëvendësueshëm në komunikimet apo në urimet në mes të njerëzve për festa të ndryshme, për gëzime, por edhe për pikëllime…

Letrat ishin komunikimi i vetëm i ushtarit, i policit, apo i punëtorit kur ishte larg familjes.

Letrat ishin mjeti më i rëndësishëm i komunikimit në mes të të burgosurit dhe familjes së tij…

Martin Çuni si njeri

Martin Çunin e kam njohur që në ditët apo javët e para të studimeve. Ai si gazetar në Radio Prishtinën e atëhershme, shihej shpesh nëpër auditoriumet e fakulteteve për ndonjë bisedë me studentë të dalluar në studime, apo thjesht edhe për ndonjë bisedë me ndonjë studentë për kushtet banesore apo jetësore të tij.

Ai do të vinte edhe në orët letrare që i organizonim ne studentët e Fakultetit të Gjuhës dhe Letërsisë shqipe.

Që në takimin e parë me të kuptova se kisha të bëja me një njeri i cili me sjelljen, me fjalët dhe veprimet e tij rrezatonte vetëm mirësi dhe dashuri njerëzore. Veprimet e tij, fjalët e tij, sjelljet e tij, sa intelektuale, sa njerëzore, figurën e tij e bënin madhështore dhe të adhurueshme.

Mbase ishte dhe është personi i cili siç thamë edhe më lart gjithmonë dhe në çdo rast di të rrezatoje vetëm dashuri dhe mirësi. Edhe kur, në ndonjë rast, për ndonjë veprim jo të mirë, të ndonjërit nga ne, shokëve dhe miqve të tij, ai nuk e humbë ekuilibrin, nuk nervozohet e as hidhërohet, por duke buzëqeshur e thotë atë shprehjen e tij të njohur: Hajt, bacë, hajt!

Martini, gjatë jetës së tij të deritashme, shpeshherë është gjendur në situata të palakmueshme, apo thënë ndryshe i ka provuar mbi lëkurë të vetën edhe të mirat e më shumë të këqiat e jetës, por kurrë ama bash kurrë nuk e ka humbur ekuilibrin në jetë, sepse gjithmonë ka besuar se pas të mirës vjen e keqja dhe anasjelltas. Martini ka provuar edhe burgun (atë serb, që është ndër më të tmerrshmit të llojit të vetë) ka provuar edhe luftën, ka qenë luftëtar i UQK-së dhe gazetar-reporter për lirinë e Kosovës. Dhe çdo herë, siç e cekëm edhe më lart, gjithmonë e ka ruajtur ekuilibrin shpirtëror e njerëzor, në mënyrën që ka ditur dhe që di ai vetë. Është mbase nga të rrallët që kur flet për sfidat e jetës nëpër të cilat ka kaluar thotë se e ka bërë vetëm detyrën ndaj kombit dhe atdheut.

E ka dashur dhe ëndërruar mbase si rrallë ndonjë tjetër lirinë dhe pavarësinë e vendit të vet, dhe kur ajo ka ardhur, për shkaqe jetësore ai edhe më tutje jeton dhe vepron larg atdheut të tij, apo thënë ndryshe jeton në mes të atdheut dhe vendit ku jeton me familje. Nganjëherë më shumë se gjysmën e vitit e kalon në atdhe, në Kosovën e tij të dashur…

Martin Çuni si krijues

E kam thënë diku dhe po e them sërish: Kur merr e shkruan, apo analizon një libër apo krijim letrar të një krijuesi, që më parë se si krijues e ke njohur si njeri, si mik e si shok, ekziston gjithmonë rreziku, që për një arsye apo një tjetër mund të biesh në prehër të subjektivizmit. Sepse siç ka shkruar dikur një krijues yni për një krijues tjetër dhe në mes tjerash ka thënë: “Ne shpeshherë takohemi me krijues (shkrimtarë e poetë dhe në çdo fushë tjetër) të cilët në jetë janë njerëz të mirë, por krijimtarinë e kanë të dobët, ne ndiejmë dhembje për krijimtarinë e tyre, por ka edhe të tjerë që në jetë nuk janë treguar të mirë dhe njerëzor e ne ndiejmë urrejtje për krijimtarinë e tyre. Dhe në fund ai pyeste: Ku dhe si ta gjejmë një krijues që është i mirë edhe  në jetë edhe krijimtari?!…Unë personalisht do t‘i thoja atij, pa frikë të rënies në subjektivizëm, se Martini (Çuni) është ai, Njeriu i mirë dhe krijuesi i mirë.

Martin Çuni, mbase është nga ata krijues, që ka shkruar dhe botuar pak, në krahasim me krijuesë të tjerë. Që nga botimi i librit të parë: “Jetë e furtunë “ dhe deri te „Lulet e jetës“, Martini ka botuar edhe „Reportazhe lufte“, „Jetë për jetën“, „Themele jete“, „Ëndrra shëtit pa mua“.

„Lulet e jetës“, të shkruara nga burgu, në të vërtetë janë letra apo të themi bashkëbisedim i autorit me fëmijët e tij. Si i tillë ky libër është krejt i veçantë. Autori, edhe pse i burgosur në burgun e tmerrshëm serb, nuk e humbë aspak ekuilibrin e tij shpirtëror dhe njerëzor. Ai gjen forcë dhe ekuilibër që me fëmijët e tij të komunikojë në mënyrë pothuajse krejt të zakonshme, sikur të ishte i lirë dhe jo i prangosur me pranga serbe. „Lulet e jetës“, apo thënë ndryshe „Letrat e burgut“ për më të dashurit e Martinit (fëmijët e tij-Agronit dhe Teutës) janë aq njerëzore dhe toksore, sa  të thjeshta aq madhështore, të një prindi që është larg „Luleve të jetës“ dhe rritjen e luleve të zemrës dhe shpirtit të tij i sheh me zemrën dhe shpirtin e krijuesit.

Dhe në të gjitha letrat e librit „Lulet e jetës“ autori Martin Çuni, shmang urrejtjen dhe mallkimin për ata që e mbajnë të prangosur dhe larg fëmijëve, familjes dhe larg atdheut të tij. Autori nëpërmes të letrave bashkëbisedon me fëmijët e tij duke i këshilluar ata, Agronin dhe Teutën, që të jenë apo bëhen fëmijë të mirë: Të dëgjojnë këshillat e gjyshërve dhe nënës, të cilët siç përmendet edhe në radhët e letrave, ata po bënin sakrifica të mëdha, që fëmijëria e tyre të kalonte në mënyrë sa më të mirë dhe më të lumtur.

Letrat apo „lulet“ e Martinit sa personale mund të thuhet janë edhe universale. Ato fillojnë si letra dhe përfundojnë si poezi. Janë të qëndisura me zogj e lule, me simbole të diellit e të hënës, me bekimin e babait dhe të nënës, me urimin e lirisë së dheut dhe të atdheut…

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Chelsea ka barazuar ndaj Brightonin për të vazhduar formën e…