Leverkusen befason City-n e Chelsea turpëron Barcelonën
Manchester City është mposhtur 2-0 nga Bayer Leverkusen në “Etihad”, Chelsea e ka deklasuar Barcelonën me një fitore të thellë 3-0 në “Stamford Bridge”, ndërsa Juventus ka siguruar tri pikë të me gol në kohë shtesë kundër Bodo/Glimt, duke fituar 3-2 në “Arktik”.
Sonte janë zhvilluar gjithsejt nëntë ndeshje të fazës së hershme në Champions League.
Manchester City e ka pasur një natë për t’u harruar, pikërisht në ndeshjen e 100-të të Pep Guardiola në Champions League me “Qytetarët”. Leverkusen i ka shfrytëzuar perfekt dobësitë e formacionit të ndryshuar të City, duke e mposhtur 2-0 në një paraqitje si mysafir.
Guardiola kishte bërë dhjetë ndryshime nga formacioni i ndeshjes së fundit dhe nuk i ka dalur mirë. Grimaldo e ka shënuar golin e parë pas një aksioni të rrjedhshëm, ndërsa Patrik Schick e ka dyfishuar rezultatin me një goditje të saktë me kokë në pjesën e dytë. As futja e Haaland nuk e ka ndryshuar ndeshjen, me portierin Flekken që i ka mohuar golin norvegjezit në një rast të artë.
Ndërsa Chelsea ka zhvilluar një nga ndeshjet më të mira të sezonit, duke e mposhtur Barcelonën 3-0 dhe duke regjistruar fitoren më të thellë ndonjëherë ndaj katalanasve. “Blutë” kanë dominuar sidomos pas përjashtimit të Ronald Araujo në fund të pjesës së parë.
Goli i parë ka ardhur pas një ngatërrese në zonë ku topi është shtyrë në rrjetë nga Kounde. Pjesa e dytë është kthyer në spektakël londinez, me Estévao që ka shënuar një gol të bukur pas një vrapimi të gjatë, ndërsa talenti Liam Delap e ka vulosur rezultatin 3-0 me golin e tij të parë në Evropë.
E Juventus e ka marrë fitoren e parë në këtë edicion të Champions League me shumë vuajtje, duke e mposhtur Bodo/Glimt 3-2 falë një goli të Jonathan David në kohën shtesë.
Norvegjezët kanë kaluar të parët në epërsi, por “Zonja e Vjetër” është rikthyer në pjesën e dytë me golat e Openda dhe McKennie. Bodo/Glimt e ka barazuar nga penalltia në minutat e fundit, por David e ka shfrytëzuar një kundërsulm të shpejtë për të siguruar tri pikë jetike për italianët.




