
Leverkuseni barazon me Freiburg, Bayerni shpallet kampion i Gjermanisë
Bayern Muncheni e siguroi të dielën titullin e kampionit të Gjermanisë, ndonëse nuk luajti. Barazimi i Bayer Leverkusenit me Freiburgun, ka bërë që Bayerni të shpallet kampion i Gjermanisë.
Kampioni i edicionit të kaluar, Leverkuseni, barazoi 2:2 në udhëtim te Freiburgu. Ndeshja i takoi xhiros së 32-të të Bundesligës. Dy xhiro para fundit, Bayerni udhëheq me 76 pikë, tetë më shumë se Bayer Leverkuseni.
Bavarezët kanë mundur të festojnë të shtunën, por festa e tyre u shty pas barazimit dramatik me RB Leipzigun. Golin e barazimit 3:3, Leipzigu e shënoi në minutën e 94-t.
Për Bayernin është titulli i 34-t i Gjermanisë. Prej viti 2013 deri në vitin 2023 ka fituar titullin rregullisht, ndërsa këtë seri impresive vjet e ndërpreu Bayer Leverkuseni.
Këtë edicion Bayerni nuk lejoi befasi. Ka udhëhequr për kohë të gjatë në kampionat dhe ka fituar betejën me Leverkusenin që përfundon i dyti.
Titulli i kampionit me Bayernin është i pari në histori për kapitenin e Anglisë, Harry Kane. Edhe Vincent Kompany ka fituar titullin e parë si trajner. Ndërkohë Thomas Muller do të përshëndetet me Bayernin si kampion.
Në ndeshjen e së dielës, Maximilian Eggestein e shënoi golin e parë për Freiburgun në minutën e 44-t. Në minutën e 48-të autogol shënoi Piero Hincapie. Ndërkohë golin e parë për Bayer Leverkusenin e shënoi Florian Wirtz në minutën e 82-të. Jonathan Tah barazoi në 2:2 në minutën e 93-të.
Bayerni është bindshëm skuadra më e suksesshme gjermane.
Nurnbergu është skuadra e dytë me më së shumti tituj, nëntë gjithsej. Borussia Dortmundi i ka tetë e Schalke shtatë.