Lëvizja për Bashkim: Koeficienti i pagave do të shkaktojë pakënaqësi sociale

01 shkurt 2023 | 14:48

Lëvizja për Bashkim që drejtohet nga Valon Murati ka deklaruar se koeficienti 105 euro i pagave do të prodhojë pakënaqësi sociale.

“Ka kohë që Qeveria e ka mbajtur “të fshehur” vlerën e koeficientit për pagat e sektorit publik! Dhe për këtë vërtet paska pasur arsye të fortë”, thuhet në komunikatën e kësaj partie politike.

Komunikata e plotë:

Me këtë koeficient Ligji për Pagat do të prodhojë jo qetësi, por pakënaqësi sociale!
Ka kohë që Qeveria e ka mbajtur “të fshehur” vlerën e koeficientit për pagat e sektorit publik! Dhe për këtë vërtet paska pasur arsye të fortë!
Vlera e koeficienti (105) e shpallur sot as për së afërmi nuk i përgjigjet nevojave të punëtorëve të sektorit publik dhe zhvillimeve ekonomike nëpër të cilat po kalon vendi ynë. Prandaj ky ligj, respektivisht kjo vlerë e koeficienti nuk do të prodhojë qetësi sociale, por, përkundrazi do të na shpie drejt pakënaqësive sociale e dukurive tjera negative në shoqërinë tonë siç është largimi i punëtorëve nga ky sektor, apo edhe vazhdimi i braktisjes së Kosovës!
Reagime të arsyeshme dhe të menjëhershme kanë ardhur nga shumë sektorë, si sektori i ushtrisë, policisë e ai i shërbyesve civil!
Politika e pagave të ulëta e pastaj ndihmave të qeverisë është një politikë e mjerimit dhe e nëpërkëmbjes së dinjitetit njerëzor!
Ky ligj e ky vlerësim i koeficientit nuk është as për së afërmi ajo çka kanë pritur dhe çka meritojnë qytetarët tanë.
Qeveria duhet menjëherë ta tërheq këtë vlerësim të gabuar dhe ta bëjë rivlerësimin meritor, përndryshe do të jetë vetë Qeveria përgjegjëse për të gjitha pasojat që do të prodhojë ky ligj e ky vlerësim!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Tashmë ka ardhur dhe zyrtarizimi, Enzo Fernandez bëhet transferimi më…