Libër me rëndësi të veçantë historike

19 dhjetor 2018 | 11:21

Habib Mustafa

Fjala e recensuesit

Libri “Flakadanët e lirisë 5” është libri i 39 i profesorit, shkrimtarit, studiuesit dhe publicistit Bedri Tahiri. Ky autor tashmë është bërë emër i njohur për të gjithë si profesionist i specializuar për libra të tillë, historik-letrar e jetëshkrimor si “Flakadanët e lirisë 5”.

Bedri Tahiri deri sot ka botuar (ka edhe shumë dorëshkrime të gatshme që presin dritën e publikimit) disa monografi për dëshmorët e kombit, që nga historia jonë e hershme, duke vazhduar me epokat e mëvonshme e për të kulmuar me ato për dëshmorët e luftës së fundit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, konkretisht me librin unikat e emblematik “ADEM JASHARI – legjendë e legjendave”, i ribotuar dhjetë herë, me mbi 15 mijë kopje.

Në objektivin i interesimit të krijuesit Bedri Tahiri për hartimin e librit më të ri, “Flakadanët e lirisë 5”, janë disa nga figurat e shquara të Lëvizjes sonë çlirimtare, që nga Lëvizja Kaçake si: Nak Jashar Berisha, Tahir Shaban Tahiri e Azem Daut Nika, duke vazhduar me figurat e çmuara të dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si: Isak Halili, Antigonë Fazliu, Ismail Haziri, Nazmi Popova, Januz Jashari, Shahin Syla, Zymer Haziri, Agim Islami, Blerim Zuçaku dhe Bastri Beqiri.

Që në fillim, pa hezituar, duhet thënë se libri “Flakadanët e lirisë 5” i autorit Bedri Tahiri është i një rëndësie të veçantë për historinë tonë kombëtare. Ai, me një mjeshtri të rrallë artistike e me një rrjedhë të pastër logjike, paraqet vazhdimësinë e pashkëputshmërinë e historisë së popullit shqiptar për çlirim e bashkim kombëtar. Autori, përmes këtij libri dhe librave të tjerë të kësaj serie, më së miri tregon se zjarri i luftës sonë për liri e çlirim kombëtar asnjëherë nuk është shuar. Pra, ai përherë ka qenë flakadan i ndezur lirie, gjë që e dëshmon edhe vetë titulli i veprës.

Për hartimin e këtij libri autori është mbështetur në burime historike, gojore e të shkruara. Ai, me një aftësi të jashtëzakonshme e me kritere të studiuesit të mirëfilltë dhe me përvojë mbi tridhjetëvjeçare, ka shfrytëzuar për mrekulli: këngët popullore, rrëfimet, rikujtimet dhe mendimet e familjarëve, miqve e bashkëluftëtarëve, si burime të dorës së parë. Krahas tyre, ai ka përdor edhe shumë gazeta dhe revista të kohës, faksimile nga procesverbalet e Aktgjykimeve dhe literaturën përkatëse ekzistuese.

Libri i Bedri Tahirit “Flakadanët e lirisë 5” është pasuruar edhe me përfshirjen e shumë fotografive dhe dokumenteve autentike, të cilat veçse ia shtojnë edhe më shumë vlerën dhe rëndësinë, duke e shndërruar në një monument përjetësie për të pavdekshmit. Madje, disa fotografi janë të vjetra dhe shumë interesante, përmes të cilave ne mund të kuptojmë dhe të përfytyrojmë edhe gjendjen ekonomike dhe sociale të kohës.

Bedri Tahiri, si studiues i historisë kombëtare, ka dëshirë, dije, vullnet dhe aftësi për të zbuluar, mbrojtur, afirmuar dhe pasqyruar sa më realisht vlerat e atyre që luftuan për çlirim dhe bashkim kombëtar.

Në fund, autorin Bedri Tahiri, e përgëzojmë për punë kaq të vlefshme, për publikimin e këtij libri lapidar për dëshmorët, duke i uruar jetë të gjatë e shëndet, me shpresë se do të na dhuroj edhe shumë e shumë libra të tjerë të rinj!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Është rozë dhe quhet “FAROUT VG18”, dhe është planeti më…