Libër me shumë dëshmi, kundër përdhosjes të së vërtetës ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës

06 shtator 2025 | 10:18

Shkruan: Bedri Halimi

Në vend të prologut

Libri “Ushtria Çlirimtare e Kosovës – në shënjestër të vazhdueshme” i shkrimtarit, publicistit e studiuesit Bardhyl Mahmuti, është një libër i veçantë për lexuesit dhe studiuesit e interesuar për periudhën vendimtare të historisë së re të Kosovës.
Është me rëndësi të theksoj që në fillim të kësaj analize se kemi të bëjmë me një narracion të veçantë në formë dhe në përmbajtje.
E veçanta në formë konsiston në atë se ngjarjet që rrëfehen, e tërheqin lexuesin për t’i shkuar deri në fund të rrëfimit të ngjarjeve a situatave të caktuara. Ndërkaq e veçanta në përmbajtje ka të bëjë me faktin se autori hedh dritë mbi takimet diplomatike përcaktuese në heqjen e cilësimit të Ushtrisë Çlirimtare Kosovë si organizatë “terroriste” dhe kualifikimin e saj si ushtri që lufton për çlirimin e vendit, duke ofruar prova të shumta në mbështetje të çështjeve që trajton. Kjo mënyrë e përfshirjes së fakteve në bashkëbisedim krijon siguri te lexuesit, sepse u jepet mundësi të vërtetojnë saktësinë e pohimeve.

Heqja e ‘mjegullës së qëllimtë’

Në këtë kontekst do të përmendnim disa nga të dhënat e librit, për të cilat lexuesit i është krijuar mundësia për t’u informuar në mënyrë koncize:
1. Në fillim të luftës, opinionin e gjerë ishte përhapur propaganda se “ambasadori amerikan Gelbard e ka quajtur UÇK-në terroriste”. Është për t’u habitur sesi ky mendim i përhapur atëbotë në opinion është i pranishëm edhe sot e kësaj dite në ligjërimet politike apo shkrimet që trajtojnë zhvillimet e asaj periudhe. Duke qenë i përfshirë drejtpërsëdrejti në udhëheqjen e takimeve diplomatike, autori sqaron të vërtetën lidhur me këtë qëndrim.
2. Po kështu ndodh edhe në rastin e Adem Demaçit, ku qëndrimet e Adem Demaçit u keqinterpretuan si “qëndrimi kundër bisedimeve në Rambuje”. Në raport me këtë çështje, autori shpjegon arsyet e dyshimeve që kishte z. Demaçi rreth rezultateve të kësaj konference, sepse kishte parasysh dështimet e shumta që kishte pasur diplomacia e shteteve perëndimore gjatë luftës në Kroaci dhe Bosnje e Hercegovinë, ku pala serbe luante një lojë të dyfishtë: nënshkruante paqen, ndërkohë që vazhdonte kryerjen e krimeve monstruoze. Rezervat e z. Demaçi kishin për qëllim të alarmonin diplomacinë e angazhuar për gjetjen e një zgjidhjeje për çështjen e Kosovës që të ishin vigjilent rreth rrezikut që të përsëritej ajo që kishim parë gjatë luftërave në Kroaci dhe Bosnje e Hercegovinë.
3. Si çështje të tretë që kam përzgjedhur për këtë recension, ka të bëj rolin e kryeministrit të asaj kohe të Shqipërisë, z. Fatos Nano dhe propaganda kundër tij që mbizotëronte në opinionin publik të Kosovës, se gjoja se ai ishte duke vepruar kundër interesave të Kosovës. Argumentet që sjell autori në këtë rast, flasin për të kundërtën.

Sqarimet për ‘dilemat e qëllimta’

Më tej, autori i këtij libri Bardhyl Mahmuti, arrin t’i sqaroj shumë tema e dilema rreth zhvillimit të ngjarjeve para luftës, gjatë luftës e pas luftës, duke sqaruar mundësitë praktike të një ushtrie vullnetare, pjesëtarët e së cilës, ishin çuar në kryengritje për çlirim kombëtar, si domosdoshmëri e mbijetesës së popullit shqiptar në Kosovë.
Autori sqaron jo vetëm se si janë zhvilluar ngjarjet, por edhe pse janë zhvilluar në atë formë, dhe cila do të ishte alternativa e zhvillimit të tyre gjatë kësaj periudhe kohore. Në këtë drejtim autori sqaron edhe çështjet që kanë të bëjnë me përmbajtjen reale të termave “Shtabi Qendror i UÇK-së”, “Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së” në kontekstin e luftës sonë çlirimtare dhe dallimit të këtyre nocioneve me domethënien që mund të kenë në terminologjinë ushtarake të ushtrive të mirëfillta. Në këtë drejtim, Bardhyl Mahmuti, arrin të sqaroj, jo vetëm dilemat e krijuara rastësisht, nga mosnjohja e gjërave për mungesë informimi, por ai arrin t’i sqaroj, sidomos dilemat e krijuara qëllimisht, ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Sukseset e diplomacisë së UÇK-së, kundrejt Serbisë

Dihet se çështjet e diplomacisë në rrethana lufte janë shumë më të vështira, se në rrethana normale. Diplomacia e luftës së UÇK-së, në rrafshin ndërkombëtar, ishte e veçantë, sepse zhvillohej në situata e kushte të veçanta, ku duhej shpejtësi, vendosmëri, sinkronizim edhe me realitetin në terren, por edhe me akterët e skenës politike ndërkombëtare. Kur kësaj t’i shtohet edhe mungesa e përvojës, mund të merret me mend se sa e vështirë ka qenë ushtrimi i ndikimit diplomatik në qarqet vendimmarrëse. Edhe përkundër të gjitha këtyre, kjo diplomaci, me në krye Bardhyl Mahmutin, ja ka dalë që të ndikojnë pozitivisht, për të ndikuar në ndryshimin e perceptimit për UÇK-në, dhe për më tepër, të kenë sukses kundrejt Serbisë.

Kontakte me personalitete të rëndësishme

Bardhyl Mahmuti gjatë kësaj kohe, ishte pjesë e diplomacisë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai gjatë kryerjes së detyrave të tij, me shumë sakrifica e peripeci të shumta, ka arritur të vëjë kontakte me shumë personalitete eminente të kohës, nga shumë shtete të rëndësishme euro-amerikane si: me ambasadorin Roberd Gelbard; ambasadorin Richard Holbrooke; komandantin e NATO-së Wesley Clark; ambasadorin Lawrence Rosin; deputetin e Parlamentit Evropian Olivier Dupuis; kryesuesen e Komisionit për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian, Doris Pack; Ministrin e Jashtëm të Austrisë, Wolfgang Schussel; Ambasadorin e Austrisë në Beograd, Wolfgang Petritsch, që ishte i dërguar i posaçëm i BE për Kosovën; Drejtorin Politik të Ministrisë së Jashtme të Austrisë, Peter Hohenfellner; Ministrin e Jashtëm të Holandës, Jeozias Van Aartsen; Sekretarin e Shtetit në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë, Wolfgang Ischinger; Zv. Drejtorin dhe Zëdhënësin e MPJ të RFGJ, Martin Erdmann; etj.

Rreth zhvillimit të propagandës serbe kundër UÇK-së

Pjesa e të dhënave ku flet për tendencat e propagandës serbe me qëllim të komprometimit të luftës çlirimtare të Kosovës, si gjatë luftës, e veçanërisht pas luftës, sqarohet në mënyrë shteruese për këto tendenca antishqiptare, përmes të cilave është synuar komprometimi i luftës çlirimtare, duke mos zgjedhur mjete për t’i dhënë karakterin terrorist, fundamentalist islamik etj., për të cilat autori sjellë shumë shembuj konkret.
Këto përpjekje të qarqeve serbe, janë të pranishme edhe sot e tërë ditën. Duke i sjellë këta shembuj të propagandës serbe, autori njëkohësisht sjell edhe kundër argumentet përmes të cilave bën demaskimin e shpifjeve të shumta nga qarqet e shtetit serb.

Rreth individëve të faktorit të jashtëm kundër UÇK-së

Në këtë libër, autori sjell edhe të dhëna rreth tendencave të qarqeve antishqiptare, të lansuara përmes personaliteteve të caktuara si Dick Marty, Carla del Ponte, etj., duke sjellë të dhëna konkrete të pohimeve të tyre, si dhe argumentet bindëse që dëshmojnë të kundërtën e veprimeve të tilla antishqiptare, mbi bazën e të cilave, siç dihet, u formua edhe ashtuquajtura Gjykatë Speciale…

Dy mesazhet e këtij libri

Të dhënat e shumta në këtë libër, flasin për rrezikun e tendencave rreth zhvillimeve në procesin gjyqësor në Hagë, ku në emër të drejtësisë, ka rrezik të varroset drejtësia.

Nga libri i Bardhyl Mahmutit, dalin dy mesazhe:
1.Mesazhi i parë, jepet për faktorët ndërkombëtarë.
Pra, mesazhi i parë jepet për faktorin ndërkombëtar, duke mos e përjashtuar as Gjykatën Speciale në Hagë, për t’i informuar, rreth argumenteve të shumta të trilluara nga qarqet serbe e pro serbe, si dhe rreth dëshmive të shumta që flasin për të kundërtën e tyre.
Ky mesazh, është thirrje për t’u vlerësuar gjërat drejtë, me gjakftohtësi e pa anshmëri. Është kjo rruga e vetme, që gjërat të mos marrin drejtim të gabuar, dhe pa frikë se rezultatet mund të dalin pastaj gabim.
2.Mesazhi i dytë, jepet për faktorin shqiptar
Të dhënat e këtij libri, për Kosovën në veçanti dhe për popullin shqiptar në përgjithësi, janë tregues, se nëse heshten këto tendenca antishqiptare, ku mund të përfundojnë proceset, nëse janë nisur rrugës së gabuar, e nëse kanë marrë kahe të gabuar, atëherë, rrjedhimisht ekziston rreziku që edhe rezultatet mund të jenë të gabuara.
Që të mos ndodhin, as njëra e as tjetra, pra, as për faktorin vendor, e as për drejtësinë ndërkombëtare, është e udhës që Institucionet e Kosovës, duke filluar që nga ato shtetërore, shkencore, kulturore etj., t’i kryejnë në praktikë të gjitha detyrat që ua ka ngarkuar koha.
Punët tona nuk mund të presim të na i kryejnë të tjerët.
Dëshmitë janë të shumta, si për zhveshjen e propagandës serbe, ashtu edhe për demaskimin e fuqishëm të kësaj propagande.
Të gjitha këto, duhet t’u servohen faktorit ndërkombëtar.
Atje ku Serbia po e zhvillon betejën kundër UÇK-së.

Në vend të epilogut

Të gjitha këto çështje dhe shumëçka që nuk u përmend në këtë recension por që trajtohen në librin e Bardhyl Mahmutit janë të domosdoshme të dihen, për arsye se sensibilizojnë lexuesin për domosdoshmërinë e vigjilencës profesionale që duhet të kemi si shqiptarë, sidomos në kohën kur ballafaqohemi me sfida të mbarsura me rreziqe të mëdha për ardhmërinë e vendit. Sidomos këtë vigjilencë duhet ta kenë bartësit e institucioneve tona shtetërore që të mund të veprojnë në interes me interesat tona kombëtare.
Të vërtetën nuk mundet ta varros askush kurrë.
Por të vërtetën, duhet ta mbrojnë të gjallët.
Të gjallët janë ata që u dalin zot të vdekurve, të vrarëve, të masakruarve, të dhunuarave, të zhdukurve me forcë.
Nëse institucionet relevante vendore e ndërkombëtare, lejojnë përdhosjen e së vërtetës, do të shndërroheshin në instrumente të vet-përdhosura.
Jashtë këtij obligimi, nuk mbetën as gazetarët, analistët, shkrimtarët, e studiuesit e të gjitha profileve, qoftë brenda institucioneve ku punojnë, qoftë edhe individualisht.
Shembull konkret, se sa mund të bëjë një individ, e kemi punën e Bardhyl Mahmutit, i cili me tre librat e deritashëm të tij (Mashtrimi i madh; Eskadronët e vdekjes; dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës në shënjestër të vazhdueshme), ka bërë punë dhe jehonë të jashtëzakonshme.
Të dhënat e shumta që i ka mbledhur e prezantuar, janë të dhëna që nuk mund të anashkalohen nga asnjë studiues serioz, që merret me studime e hulumtime të kësaj periudhe.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Policia në Prishtinë ka bërë të ditur se të premten…